Shqipëria

Rritet numri i divorceve në Shqipëri

Rastet e divorcit janë rritur shumë në Shqipëri. Në 25 vjet, divorcet janë shtuar ndjeshëm.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitet 1990 kishte nëntë divorce për 100 martesa, ndërsa në vitin 2016, ishin 24.7 divorce për 100 martesa, nivel rekord, shkruan ‘monitor’.

Ritmet e ndarjes së çifteve u përshpejtuan shumë në periudhën 2014-2016, ku divorcet arritën 17.8, 21 dhe 24.7 për 100 martesa, përcjell albinfo.ch.

Gjithsesi, Shqipëria e ka treguesin e divorceve më të ulët se vendet e BE-së, por më të lartë se vendet e rajonit.

Të dhënat e fundit demografike tregojnë se numri i martesave për 1 000 persona ka rënë brenda BE-28 në dekadat e fundit, ndërsa numri i divorceve është rritur.

Sipas të dhënave të Eurostat, në BE, në vitin 2013 pati rreth 2.1 milionë martesa dhe 943 mijë divorce.

Këto shifra mund të shprehen si 4.1 martesa për çdo 1 000 persona dhe 1.9 shkurorëzime për çdo 1 000 persona.