Turizëm

Rritet numri i turistëve në Shqipëri, bie i atyre nga Kosova

Numri i turistëve të huaj në Shqipëri po rritet nga viti në vit, derisa i atyre nga Kosova ka rënë. Kështu konfirmohet në bazë të statistikave nga INSTAT, shkruan albinfo.ch.

Në muajin tetor numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri ishte 379.327 me një rritje 25,3 % në krahasim me tetorin e një viti më parë.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në dhjetëmujorin e vitit 2017 është 4.604.010, duke u rritur me 7,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Por, të huajt që vizituan Shqipërinë për qëllime për të pushuar u rritën me 21 % në 10 mujor.

Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 4 herë, ndërsa uljen më të madhe e kanë pasur shtetasit nga Anglia me 49,8 %.

Në dhjetëmujorin e vitit 2017, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 73,9 % dhe rënie kanë pasur vetëm hyrjet nga Kosova me 21,1 %.

Pavarësisht rënies, shtetasit nga Kosova vijojnë të zënë peshën më të madhe të hyrjeve, me 35% të totalit për 10 mujorin, në rënie të dukshme nga 47% që ishte kjo peshë në të njëjtë periudhë të një viti më parë.