Integrimi

Rruga e mjekut shqiptar, nga shtëpia e pleqve deri te doktorata në psikiatri

26 vite më parë qe përjashtuar nga puna si mjek i ri në Kosovë, sot është doktor i shkencave të psikiatrisë në Zvicër, pronar dhe udhëheqës i ordinancës ku ka të punësuar dy psikologe dhe një psikiatër. Ky është dr. Sami Dalipi

Vera e vitit 1990, për mjekun asokohe të ri, dr. Sami Dalipin, do të shënonte pikën e një kthese që do t`ia ndryshonte tërësisht jetën. «Erdhi shoferi i drejtorit të dhunshëm serb të spitalit të Gjilanit dhe më tha: `drejtori më porositi të të tregoj se je pushuar nga puna`. Krahas meje, këtë fat e kishte edhe kolegu im më i ri, dr. Shpend Elezi. Në një situatë të tillë, unë isha tashmë jo vetëm i papunë por edhe i kërcënuar nga regjimi i dhunës, i cili keqtrajtonte shqiptarët gjithandej. I gjendur pa burime jetese, më erdhi si prej zotit oferta të cilën ma bëri një i afërm nga Zvicra. Ai më siguronte të vija në Zvicër ku do të punoja në një restorant», fillon Dr. Samiu rrëfimin e tij të ardhjes në Zvicër, për albinfo.ch. “Atëbotë unë dhe Ferdezja i kishim dy fëmijë (Naimin dhe Shkëlqimin) kështu që e pranova pa hezitim ftesën. Sigurisht, në Zvicër do të vija i vetëm, familja ime e re do të mbetej në Kosovë. Falë ndërhyrjes shumë dashamirëse të shefit të punës, unë pas vetëm 9 muajve qëndrimi këtu, e fitova vizën B. Kjo po ndodhte në një kohë kur për këtë vizë duhej punuar 4 sezone (4 vjet nga 9 muaj), nënvizon doktori.

Në sezonin vijues, Samiu do të punonte tashmë si ndihmës-infermieri në një shtëpi pleqsh, duke iu afruar kështu më pranë profesionit të mjekut. Katër vitet në vijim ai do të vazhdonte punën në Zvicër pa pasur të drejtë të sillte familjen.

Studime postdiplomike duke punuar ndihmës teknik në shtëpi të pleqve

Në këtë periduhë, dr. Samiu, ndonëse pa shpresuar se do të punonte ndonjëherë si mjek, fillon të ndjekë studimet postdiplomike të psikoterapisë, që zgjasnin 4 vjet. «E vazhdoja punën në shtëpinë e pleqve, nga e cila e merrja të lirë një ditë në javë për t`i ndjekur ligjëratat. Është një specifikë këtu në Zvicër, që edhe pa ta njohur diplomën, mund t`i ndjekësh studimet postdiplomike», sqaron dr. Dalipi. Sa kohë që je duke punuar në institucione shëndetësore publike, ti mund të kalosh të gjitha shkallët, deri në kryemjek, pa t`u kërkuar nostrifikimi i diplomës që ke sjellë nga vendi i prejardhjes.

«Ndërkohë unë u punësova si mjek asistent në Klinikën Psikiatrike St.Urban në Lucern që është një klinikë universitare. Kryemjeku i këtij spitali, (dr. Rolf Ineichen) më ndihmoi që klinika të mi financonte studimet e filluara postdiplomike por edhe të gjithë paketën e kualifikimit tim të mëtejmë. Në vitin 2004 pastaj e kam mbaruar edhe specializimin për psikiatri», shton ai.

Doktor shkencash në psikiatri

Ndërkohë Samiut i është dashur ta bënte ekuivalentimin. «Nga viti 2004, pasi e kam kryer specializimin, kam punuar në klinika dhe institucione tjera shëndetësore si mjek ose kryemjek. Pastaj kam punuar në Bernë në një institut për realizimin e ekspertizave psikiatrike, për rastet që lidhen me përcaktimin e aftësisë së vozitjes ke pacientët që vuajnë nga varësia nga alkooli dhe medikamentet. Gjithsej përvojë profesionale në shëndetësi, tash më bëhen 17 vjet», nënvizon bashkëbiseduesi ynë.

«Më 3 tetor 2009 kam kurorëzuar punën time në profesion, duke mbrojtur temën e doktoratës: Intervenimet e integruara psikiatriko/psikoteapeutike te pacientët me sindrome posttraumatike nga shtetet ballkanike- hulumtim i randomizuar. E kam titullin e supervizorit dhe bëj rregullisht ekspertiza psikiatrike, forensike etj.», vazhdon ai rrëfimin për albinfo.ch. Ndërsa në tetor të këtij viti dr. Samiu mbush 6 vjet që ka hapur ordinancën e vet të psikiatrisë, në Sursee të Kantonit të Lucernit, që gjithsesi është njëra nga të parat e një shqiptari në Zvicër. Avancimin që ka bërë në këtë fushë, krahas punës së tij me përkushtim, Samiu e sheh edhe si rezultat të një rrethane «fatlume»: kërkesat e shëndetësisë zvicerane për mjekë psikiatër janë shumë të mëdha. Sigurisht këtu ndikon edhe fakti se ka shumë pacientë me prejardhje nga Ballkani, e që bartin me vete pasoja traumatike nga luftërat.  «Bëhet fjalë për një drejtim profesional që kërkon veç tjerash edhe shumë kompetencë emocionale, kështu që shumica i ikin këtij angazhimi shtesë. Po ashtu, edhe paguhet më pak. Unë, për fat edhe e kam dashur vetë psikiatrinë kështu që te rasti im janë përputhur, fati dhe ambicia».

Ku dallojnë pacientët shqiptarë nga ata zviceranë?

«Duhet theksuar se vetëdija e pacientëve shqiptarë e ballkanikë mbi psikoterapinë është ende shumë e ulët. Shumica e tyre, nuk kanë pasqyrë të qartë se çfarë duhet pritur nga një psikiatër. Të shumtën vijnë kur kanë probleme psikosociale, me punën, me rrethin etj. dhe presin që psikiatri të marrë edhe rolin e punëtorit social, edhe të gjykatësit etj. Shumë prej tyre shpresojnë se mund të nxjerrin ndonjë pension. Në këso raste na duhet të ndërpresim terapinë», thekson dr. Sami Dalipi në bisedë me albinfo.ch. Por, shton ai, megjithatë duhet pasur mirëkuptim për gjendjen e tyre, kur dihet se shqiptarët, sidomos gjeneratat e para të tyre në Zvicër kanë qenë të angazhuar në punët më të rënda dhe rrjedhimisht, kanë qenë më të goditurit nga pasojat e sëmundjeve që u përmendën.

Është edhe një specifikë që i dallon pacientët nga Ballkani prej atyre vendës. Përderisa zviceranët në rast dhembjesh «i shtrëngojnë dhëmbët» dhe gjejnë një mundësi «bashkëjetese» me dhembjen e sëmundjen, te ballkanasit kemi të shumtën ankesa emotive, qaramani etj. Aspekti emancipator ka ndikim të madh edhe në përpunimin e dhembjes dhe të përjetimeve negative në përgjithësi. Më së shpeshti kemi pacientë me sindromin e kronifikuar të dhembjes, dmth. që kanë dhembje afatgjatë, sidomos si pasojë e dëmtimeve të kurrizit. Faktorët primarë organikë kanë sjellë te dhembjet e për pasojë, te humbja vendit të punës, humbja e rolit në familje, lëndueshmëria e tepruar etj.

Punëson dy psikologe dhe një psikiatër

Roli i psikiatrit te këta pacientë është që të bëjë rimobilizimin e resurseve që ata ende i kanë, për integrimin e tyre në jetën shoqërore dhe në punë. Në këto raste, kur pacientët tanë janë të bindur se nuk po kuptohen ose «po keqkuptohen» nga mjekët zviceranë, të cilët po i «trajtojnë si të sëmurë psikikë» ne ua sqarojmë se problemet e tyre kanë burim organik por me kohë ato shndërrohen në probleme psikosomatike. Kështu, te ata më duhet t`i mobilizoj resurset alternative dhe t`ua bëj të qartë se nuk duhet të presin heqje të plotë «si me dorë» të dhembjeve, por që të mësohen të jetojnë me dhembjen, duke e relativizuar atë dhe duke u orientuar në aspekte tjera të jetës”, thotë doktori. Dhe sigurisht prej dr Samiut, një njeriu që vjen nga i njëjti qark kulturor me pacientët në fjalë, pritet që këtë ta bëjë më së miri.

Në ordinancën e tij private që e udhëheq tash 6 vjet, dr. Samiu prej një kohe ka të punësuara edhe dy psikologe, të dyja zvicerane. «Së shpejti do të fillojë nga puna edhe një psikiatër, koleg imi, për shkak të shtimit të vëllimit të punëve. Afër 80 për qind të pacientëve të tij janë zviceranë», thotë ai. Dr. Samiu në ordinancën e tij posedon licencën e përcjelljes mentoriale te studentëve të psikologjisë dhe mjekëve asistentë që si qëllim specialistik kanë zgjedhur psikiatrinë.

1 familje, 4 punëtorë psikiatrie

Përcaktimi i Samiut për psikiatrinë duket se ka «infektuar» edhe familjarët e tij. Kështu, bashkëshortja e tij, Ferdezja, punon në klinikën «St.Urban» si kujdestare e pleqve, vajza, Laura punon si teknike por krahas kësaj ndjek studimet në Shkollën e Lartë për Infermieri ndërsa djali, Shkëlqimi, punon si teknik në po këtë klinikë.