CH-Ballkani

“Rugova” nga Kosova fiton në Festivalin Folklorik “Sofra Dardane”

Grupi nga Kosova u vlerësua për performancën dhe motivet origjinale si në këngë ashtu dhe koreografi

Ansambli autokton “Rugova” nga Kosova u shpall fitues me çmimin e parë në edicionin e 16-të të Festivalit Folklorik “Sofra Dardane” që u zhvillua në qytetin e Bajram Currit.

Grupi nga Kosova u vlerësua për performancën dhe motivet origjinale si në këngë ashtu dhe koreografi. Çmime u ndanë dhe kategori të tjera. Kryetari i jurisë maestro Ermir Dizdari tha se përzgjedhja ka qenë e vështirë.

“Në të gjitha rastet juritë e kanë këtë vështirësi. Unë kam marrë pjesë në shumë festivale në juri po sot e kishim vërtetë shumë të vështirë se kishte prurje jashtëzakonisht të mirë”, thotë Ermir Dizdari, kompozitor kryetar i jurisë, raporton “TCH”.

“Vlen për tu përmendur koreografinë e ardhur nga Ansambli i këngëve dhe valleve nga Kaçaniku, grupi i Kaçanikut”, shprehet Deli Metaliaj, koreograf, anëtar i jurisë.

Jashtë garës performoi reperi Stresi. Në edicionin e 16-të të “Sofrës Dardane” që u zhvillua për tre ditë rresht në Bajram Curri morën pjesë grupe e asamble folkorike nga të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Çamëria dhe Diaspora.