Autotech

Sa kushton për t’u prodhuar një iPhone X dhe sa fiton Apple në një telefon të shitur

Analistët e IHS Markit kanë njoftuar se iPhone X, telefoni më i ri i Apple-it, që kushton me fillim prej 999 dollarësh për ta blerë, i kushton kompanisë vetëm 370 dollarë për ta prodhuar.

Ky raport shpjegon se dy pajisjet tjera iPhone 8 dhe iPhone 8 Plus kushtojnë 247.51 dhe 277.66 dollarë për t’u prodhuar.

Nëse kjo vërtetohet, nënkuptohet që Apple fiton së paku 629 dollarë për një iPhone X të shitur, apo margjinë fitimi prej 63 për qind. E njëjta matematikë nxjerr Apple-in në fitim te iPhone 8 dhe iPhone 8 Plus me 64.6 dhe 65.2 për qind fitim, transmeton Albinfo.ch.

“iPhone X është iPhone më i shtrenjtë në histori dhe ka çmimin më të lartë në treg, duke e çuar industrinë e telefonave të mençur në një pikë të re të çmimeve”, ka thënë Andrew Rassweiler nga IHS Markit.

Në këtë raport theksohet se ekrani OLED është pjesa më e shtrenjtë me vlerë 110 dollarë. Elementet mekanike kushtojnë 61 dollarë, kurse kamera 35. Në mesin e shumë pjesëve, procesori ka vlerë 27.50 dollarë, sipas IHS-së, ndërsa memoria 33.45 dollarë.