Zhvillim

Sa kushton taksia për në shtëpi

Transporti publik nga aeroporti për në kryeqytet është inekzistent. Për këtë arsye, secili që ka nevojë për transport mbetet nën mëshirën e taksive shpesh herë ilegale që operojnë në aeroportin e Sllatinës, të cilat kërkojnë shuma të majme

Vera po vjen dhe avionët plot me mërgimtarë ia mësyjnë aeroportit të Prishtinës disa herë në ditë. Në mesin e tyre je edhe ti, i lodhur nga puna e një viti e i mbushur mall për shtëpinë. Me pak fat, avioni ka ateruar me kohë e as valixhet tua nuk janë vonuar tepër. Aeroporti “Adem Jashari” është prej të paktëve në botë ku ka më shumë njerëz që presin aterrimet sesa njerëz që aterojnë. Ja që sot ti nuk je njëri prej tyre. Për njërën apo tjetrën arsye, nuk ka dalë askush të t’ presë dhe të duhet të shkosh vetë në vendshkarkimin e valixheve tua.

Ende pa dalë mirë nga dera e aeroportit, ende pa u mbushur mirë me ajrin e Kosovës, të rrethojnë dhjetëra njerëz që çuditërisht nuk janë as të njohur e as familjarë. “Taxi! A t’duhet taxi?” dëgjon nga katër anët dhe sheh duar që janë të gatshme për të ndihmuar t’i fusësh valixhet në njërën prej veturave të tyre që për jo më pak se 25 euro të çojnë deri në Prishtinë, e për shuma shumë më të mëdha mund të t’çojnë në qytetin tënd…

S`ka transport publik nga aeroporti për në Prishtinë

Çuditërisht, transporti publik nga aeroporti për në kryeqytet është inekzistent. Për këtë arsye, secili që ka nevojë për transport mbetet nën mëshirën e taksive shpesh herë ilegale që operojnë në aeroportin e Sllatinës, të cilat kërkojnë shuma të majme për shërbimet e tyre. Si zgjidhje e dytë, janë kompanitë e radio-taksive që operojnë në Prishtinë (si qyteti më i afërt me aeroportin) të cilat ofrojnë çmime përgjysmë më të volitshme dhe shërbime mjaft të shpejta. Mirëpo këtë mundësi, pak mërgimtarë e shfrytëzojnë. Pronari i një prej kompanive të radio – taksive në Prishtinë, Fehmi Keçekolla, thotë se arsyeja se pse mërgimtarët zgjedhin taksitë ilegale qëndron tek mungesa e informimit mbi shërbimet që ofrojnë këto kompani.

“Nga momenti kur pasagjeri telefonon, taksia nuk vonon as 15 minuta deri në aeroport”, shprehet Fehmi Keçekolla, pronari i kompanisë “Dallas” me bazë në kryeqytet.
Kjo kompani, ashtu sikur edhe kompanitë tjera të ngjashme (Victory, Roberti, Geti, Beki, City Taxi, etj.) kryejnë shërbimet e transportit nga vendmarrja e deri në destinacionin e kërkuar. Për më tepër, shërbimet e këtyre kompanive janë të rregulluara me ligj ose me marrëveshje mirëkuptimi ashtu që çmimet të jenë fikse dhe normalisht të panegociueshme.

Ja sa kushtojnë taksitë në relacione të gjata

Sipas çmimores së përbashkët, të siguruar në zyrat e kësaj kompanie, transporti nga aeroporti në kryeqytet ose anasjelltas kushton 13 euro (duke mos përfshirë taksat e parkingut të aeroportit në rast të vonesës nga ana e pasagjerit). Për më tepër, tarifat fikse aplikohen edhe në desticanionet tjera më të frekuentuara, si për shembull:

Aeroport (Prishtinë) – Prizren                  45 EURO

Aeroport (Prishtinë) – Mitrovicë              25EURO

Aeroport (Prishtinë) – Gjilan                    25EURO

Aeroport (Prishtinë) – Pejë                       45 EURO

Aeroport (Prishtinë) – Ferizaj                  20 EURO

Aeroport (Prishtinë) – Shkup                   50 EURO

Aeroport (Prishtinë) – Tiranë                   150 EURO, etj.

Përveç këtyre destinacioneve relativisht të gjata, edhe shërbimet e transportit nga kompanitë që operojnë brenda Prishtinës kanë tarifa fikse. “Nisja fillon nga 1.5 euro, që korrespondon me distancën prej 1.5 km, duke vazhduar me 60 cent për kilometër. Në rast se pasagjeri ka nevojë për pritje nga ana e shoferit, pagesa është 5 euro për orë.”, ka vazhduar Keçekolla, i cili shton se kjo vlen vetëm për territorin e kryeqytetit dhe disa zona të afërta.

400 vetura në dispozicion

Shërbime të ngjashme transporti ofrojnë edhe rreth 400 persona privatë që e ushtrojnë këtë veprimtari të pajisur me leje nga komuna, por pa bërë pjesë në ndonjë kompani të radio-taksive.“Dallimi mes nesh dhe kompanive është se tek ne çmimi edhe mund të negociohet, përndryshe tarifat janë pak a shumë të njëjta me kompanitë” tregon Agron Zeneli, pronari i njërës nga këto 400 vetura që presin për pasagjerë në trotuaret e kryeqytetit.

Përveç pamundësisë së manipulimit të çmimeve, drejtuesi i kompanisë “Dallas”, këmbëngul në avantazhet e shërbimeve që ofrojnë kompanitë e taksive ndaj taksive private. “Veturat tona janë të pajisura me sistemin GPS, kështu që ne mund ta kontrollojmë vendndodhjen e secilës prej tyre në gjithë territorin e Kosovës. Edhe në rast se pasagjeri ka harruar diçka në ndonjërën nga veturat tona, mjafton të telefonojë në qendrën tonë të kontrollit dhe gjithçka do të jetë në rregull. Ne jemi të interesuar që pasagjerëve tu ofrojmë shërbime sa më korrekte dhe cilësore, sepse në rast pakënaqësish nga ana e pasagjerit, kjo do të ishte një dështim për ne si kompani.”, ka përfunduar Keçekolla.

Përveç thirrjes në numrat kujdestarë, qytetarët mund tu drejtohen kompanive të radio-taksive edhe përmes aplikacioneve online siç është Viber.

A do taxi zotni?

Vera po vjen dhe vendi do të vërshohet nga mërgimtarët që ia mësyjnë vendlindjes pas shumë muajsh lodhjeje. Shumë prej tyre i ecin në këmbë rrugët e fëmijërisë së tyre apo të paraardhësve. Disa të tjerë hipin në autobusët e stërmbushur, herë të klimatizuar e herë jo, por me çmime shumë më të lira se taksitë, që enden nga njëri qytet në tjetrin e pastaj nga qyteti në fshatrat përreth.

Po për ty që të pëlqen të udhëtosh me taksi, mjafton të telefonosh dhe do ta kesh taksinë para këmbëve brenda pak minutash… të paktën kështu thonë…

 

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/sa-kushton-taksia-per-ne-shtepi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.