Sport

Sadiku debuton me tri asistime

Armando Sadiku ka debutuar për mrekulli për skuadrën e Luganos, duke dhënë tri asistime në ndeshje miqësore ndaj skuadrës kineze, Janbian Funde

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku ka treguar menjëherë për aftësitë e tij sulmuesi në skuadrën e rikthyer Lugano, shkruan albinfo.ch.

Lugano luajti në Spanjë një miqësore ndaj kinezëve të Janbian Funde, duke fituar me rezultatin e thellë 5:0 dhe Sadiku ishte protagonist në lojën ofensive të skuadrës së tij, edhe pse nuk gjeti rrugën e rrjetës. Ai dha asistimet për tre nga katër golat që shënoi ekipi i Luganos në pjesën e parë, ku u aktivizuan titullarët, ndërsa më pas u ul në bankinë për të parë se si rezervat e drejtuar nga Paolo Tramexanin arrinin të vazhdonin dominimin duke shënuar edhe golin e pestë ndaj ekipit të Superligës milionere kineze.

“Sot ishte një ndeshje kundër një skuadre që nuk njihnim. Pjesa e parë shkoi shumë mirë dhe jam i lumtur që luajta ndeshjen e parë, u ndjeva mirë. Ndjehesha mirë në fushë dhe më pëlqen të argëtohem edhe në stërvitje këtu, po e bëj një gjë të tillë”, u shpreh pas ndeshjes Sadiku.

I kënaqur me mirëkuptimin që ka krijuar menjëherë me Sadikun është edhe Ezgjan Alioski, i cili shënoi dy gola falë pasimeve të futbollistit të Kombëtares shqiptare.

“Kemi luajtur për herë të parë bashkë  dhe ndjehem mirë me të në fushë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe në kampionat. Jam i bindur se unë dhe ai do të bëjmë shumë gola në kampionat”, deklaroi shqiptari i cili luan për Maqedoninë, madje edhe i kishte shënuar gol Shqipërisë në Shkodër.