Lajme

Sami Dangëllia, shqiptari që bëri 43 vite burg

Sami Dangëllia vdiq në moshën 61 vjeçare në burg, duke kryer 43 vjet burg, gati sa dyfishi i Mandelës. Ai vdiq më 23 prill 1987, në orën 23. Varrimi u bë nga burgu, pa e parë askush dhe pa e ditur se ku u varros

Para pak ditësh, më 1 gusht, Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë të diktaturës komuniste me iniciativën e drejtorit Bilal Kola, organizoi një takim përkujtimor për Sami Dangëllinë, njeriun rekordmen që ka vuajtur më shumë vite burg në Shqipëri, plot 43 vjet. Dhe vdiq në burg.

Një nga bashkëvuajtësit e tij, shkrimtari Daut Gumeni i bëri një përshkrim Dangëllisë, të cilin e boton gazeta Dita.

Përkujtimi i Sami Dangëllisë dhe i shokëve të tij të rrallë, është një domosdoshmëri për shëndetin e shoqërisë shqiptare të këtij tranzicioni të zgjatur si formë e inercisë së diktaturës. Është detyrë jo vetëm e Institutit të të Përndjekurve Politikë të diktaturës, por më duket se është detyrë e mbarë shoqërisë që të mos lejojë të harrohen Sami Dangëllinjtë tanë të djeshëm. Të mos harrohen jo vetëm prej miqve dhe bashkëvuajtësve të tyre, që nuk i harrojnë dot, por të mos harrohen sepse përbëjnë një nga ato vlera të çmuara njerëzore, pa të cilat brezat e rinj mund të vijë një ditë të vënë në dyshim edhe vetë ekzistencën e diktaturës komuniste gjysmëshekullore në Shqipërinë tonë!…

Them kështu se e di që Samiu do të ma falë dhe ca zgjatje në këtë drejtim, sepse ka qenë dhe meraku i tij dhe i burrave si ai që të mos harrohen kurrë ato vuajtje e të mos harrohen kurrë ato krime të diktaturës komuniste. Dhe më duket se nuk po zgjatem pa arsye. Mjafton të shihet se me sa kujdes po i shuajnë gjurmët ulëritëse të atyre krimeve pushtetet e trashëgimtarëve besnikë të diktaturës në këtë çerek shekulli tranzicion të pambaruar. Ku janë tanimë kampet famëkeqe të përqendrimit, ku kanë mbetur pa varre shokët e Sami Dangëllisë? Ku është burgu i dikurshëm i Burrelit e pse fshihet ai pas një burgu të transformuar për të burgosur ordinerë, kur kemi kaq burgje të tillë? Pse të mos kthehej në muze burgu famëkeq i Burrelit, me ato parullat e tij aq ogurzeza “Këtu i thonë Burrel, Hyn e s’del” dhe “Burgu i shfarosjes së armiqve të pushtetit popullor”dhe të kthehej ashtu sikundër ishte kur shërbente si burgu qendror politik i regjimit komunist? Pse të mos kthehej në muze kampi i përqendrimit i Spaçit, apo burgu i kalasë së Gjirokastrës? Ku janë shenjat e kampeve të shfarosjes në Maliq e në Bedenë, në Shtyllas e në Kafaraj, në Tërbuf e në Bubullimë, për të përmendur vetëm pakë prej tyre? Kush paska kaq frikë nga pasqyrimi më vërtetësi i historisë së dhimbshme të këtij vendi gjatë regjimit komunist? Pse duhet të fshihet e shkuara e hidhur nga brezat tanë të rinj? Pse duhet të ushqehen dhe brezat tanë të rinj me histori të deformuar?

Po marr vetëm një shembull, ku deformimi i historisë është sa i shëmtuar dhe ulëritës – shpërfytyrimin që i kanë bërë burgut të dikurshëm të Kalasë së Gjirokastrës. Edhe zyra e hetuesisë brenda atij burgu është kthyer në shkallë për të shkuar në njëfarë karakolli të rojeve të dikurshme, por tani të emërtuar “Biruca e torturave të heroinave të luftës “…

Askush nuk do të mëtonte të fshihet nga historia e shkuar vuajtja e dy vajzave partizane në burgun e kalasë së Gjirokastrës dhe aq më pakë vrasja e tyre nga pushtuesit barbarë. Ka doemos dhe ajo vendin e vet në historinë e dhimbshme të atij burgu të errët, por nuk ka pse kthehet gjysma e birucave të kalasë në njëfarë “këndi të emulacionit socialist” ku muret janë mbushur me parulla komuniste, a thua se për pesëdhjetë vite të rëndë pas lufte ai burg e ato biruca nuk janë përdorur nga diktatura për të torturuar me qindra e qindra shqiptarë nga ata që trembnin gjumin e diktatorit e ditët e diktaturës komuniste! Ky lloj i shpifur shtrembërimi i historisë nuk është në dobi as të vetë atyre që kanë mbushur muret e birucave me parulla komuniste. Shtrembërimi i historisë është në dëm të të gjithëve, sepse është në dëm të përparimit të vërtetë të vendit e të mbarë shoqërisë.

Babagjyshi i burgjeve komuniste e di që do të ma falë këtë zgjatje, pasi e thashë që ishte dhe një merak i tij e i shokëve të tij të vuajtjeve të gjata një e ardhme e dyshimtë, që mund të përpiqej të fshihte gjurmët e krimeve e të ngulmonte të shtrembëronte historinë e këtij vendi.

Si të mos mjaftonte kjo përpjekje për të fshehur krimet e diktaturës, komunistët tanë të sëmurë për pushtet e të kthyer brenda natës në demokratikas nga kjo sëmundje pushteti të pakufizuar, e kanë kthyer dhe Altarin e Fjalës , sallën e Kuvendit të Shqipërisë, nga një sallë ku duhet të ziejnë debatet dinjitoze për të gjetur udhët më të mira në dobi të zhvillimit të vendit e të përmirësimit të jetës së popullit, në një skenë shfaqjesh të neveritshme ku gjëmon një logore gojësh të palara nga propaganda komuniste e luftës së dikurshme të klasave, një logore neveritëse që derdhet qëllimisht nga Altari i Fjalës së Urtë , si për t’i thënë jo vetëm këtij populli të duruar por edhe mbarë botës se Shqipëria e tranzicionit – inerci e diktaturës mbetet përherë besnike e shëmtive të diktaturës komuniste. Dhe fajin përpiqen t’ua lënë përsëri demokratëve të vërtetë si Sami Dangëllia me shokë, t’ua hedhin prapë fajin atyre burrave të rrallë të këtij vendi, që qenë demokratë me ideale dhe ato ideale demokrate i paguan me jetë dhe nuk u regjistruan si demokratikas në zyrat e mykura të Komitetit Qendror të Partisë së Punës për të ndarë midis tyre si plaçkë lufte pasurinë kombëtare të shqiptarëve të uritur , të trembur e të sëmurë nga lëngimi i gjatë nën diktaturë e për t’u bërë pronarë me pronat e pronarëve të shpronësuar nga diktatura.

Ja pse besoj që Sami Dangëllia ynë do të ma falë këtë zgjatje në këtë përkujtimore për të. Se janë të shumtë ata që i ndihu fati të mbeten gjallë dhe që e kanë njohur Sami Dangëllinë e burgjeve të gjatë, që i morën dhe jetën. Kanë njohur Sami Dangëllinë e urtë e fjalëpakë, të heshtur përballë vuajtjeve dhe torturave, frymëzues për shokët e miqtë për t’u dhënë zemër edhe në atë ferr mbi tokë. Se ishte vërtet një njeri i rrallë Sami Dangëllia. Ishte një nga ata që me shembullin e vet ta bënte më të durueshme jetën në vuajtje, e pse jo, të kujtonte se kur e di përse vuan, njeriu i gjen kuptim dhe vdekjes. Sikundër gjeti ai vetë në një vdekje mbase dhe të shpejtuar prej atyre që paguheshin si mjekë ushtarakë në burgjet politike, por detyrë të parë kishin organizimin e vdekjeve të fshehta…

Për Sami Dangëllinë mund të flitet më gjatë e më bukur . Për Sami Dangëllinë dhe shokët e tij me vlerë, që nuk i kemi më midis nesh, duhet folur më gjatë e më shpesh. Duhet shkruar për ta më gjatë e më shpesh e më bukur nga sa mund të bëj unë në këtë fjalë të thjeshtë si një prej miqve të tij që vetëm mund të merrja prej shembullit të tij e nuk kisha mundësi t’ia ktheja. Më mirë mund të fliste për Samiun një nga miqtë e tij më të mirë, i miri mbase më tepër se ç’duhet, miku ynë i rrallë Luan Koka, tanimë në moshë të thyer e me shëndet të rrënuar. Se nuk i them dot unë ato kujtime të shumta që mund të na thoshte Luan Koka për Sami Dangëllinë në këtë përkujtimore. Mund të them vetëm që Luani e kishte Samiun si vëlla të madh e ne të tjerët e kishim Babagjyshin tonë të burgjeve.

Ja këto duam të dëgjojmë, mund të thotë dikush nga dëgjuesit e nderuar në këtë sallë. Por unë i mora leje Samiut për të thënë edhe ca gjëra për një nga shqetësimet që kishte në të gjallë Samiu e mjaft shokë të tij: Merakun se mos një ditë mund të fshiheshin e të harroheshin krimet e diktaturës komuniste. Mbase zemra e mirë dhe dashuria e sinqertë për vendin e për përparimin e tij, i shpuri ata burra të rrallë në një shqetësim të tillë pa e parë me sytë e tyre të bëhej e vërtetë kjo frikë e ca palo pushtetarëve nga e shkuara e dhunshme e regjimit komunist në Shqipërinë tonë.

Kjo veprimtari pati mjaft fjalë të ngrohta e fjalë vlerësimi për Sami Dangëllinë. I falënderoj të gjithë edhe në emër të shokëve e miqve të Sami Dangëllisë, që sot mungojnë në këtë sallë. I falënderoj të gjithë me zemër dhe ua kujtoj sërish që veprimtari të tilla duhen bërë më të shpeshta e më të zgjeruara e pse jo edhe më të përgatitura shkencërisht. Jua bëj këtë thirrje miqësore të gjithë atyre që kanë aftësi për të nxjerrë në pah të vërtetat me kërkime shkencore. Unë vetë nuk i ndihmoj dot në këtë fushë, sepse jam larg rreptësisë së kërkuar nga shkenca historike. Dhe jam doemos edhe jo pak emotiv kur flitet për miq të mirë të burgjeve të gjatë si Sami Dangëllia.

Si mik i tij nga brezi më i ri i të burgosurve politikë të kohës, më ndihu fati të mbetem gjallë dhe t’i shkoja Samiut një ditë në vendlindje, në Menkulasin e tij buzë Devollit. Aty buzë lumit Devoll më treguan që kishte qenë dikur vatani i Sami Dangëllisë , por shtëpia e tyre nuk ishte më. Ai që më përcolli tek vatani i dikurshëm i Samiut, ishte një Dangëlli i largët dhe dukej ca i hutuar, sikur po i kërkoja të më fliste për botën tjetër. Mbase dhe unë vetë iu duka si i ardhur nga bota e përtejme. Dhe më mbeti të flisja me vete e me plepat kavakë të rritur në vatanin e Samiut. Plepat sikur i drodhën më shumë gjethet si zemra të blerta dhe m’u duk se fëshfërima e tyre tha tok me mua: “Sami Dangëllia ishte një lis Devolli. Një lis nga ata të këngës që merrte me vete Samiu, kur binte në të thella…”Devolli trimat si pylli”…

Nuk më rrihet pa e përsëritur, se jam në një moshë që nuk kam kohë të bëj gabime: sa më shumë të kujtojmë ata burra dhe ato gra që nuk i theu dot diktatura, aq më të shtruar do t’ua lëmë udhën brezave të rinj. Udhën drejt të vërtetës. Udhën për të mos e fshehur të vërtetën e për të mos u trembur nga të vërtetat historike. Udhën për të mos konsumuar më histori të deformuar. Udhën për të pasur sa më shumë kujtime të gjalla e për t’i pasur sa më pranë kujtesës sonë historike luftëtarët tanë të patrembur të lirisë, si Sami Dangëllia.

Kush ishte Sami Dangëllia

Ka lindur në fshatin Menkulas të Devollit në vitin 1928. Fëmijërinë e kaloi në fshat, më vonë shkon ushtar dhe që andej bashkohet me Ballin Kombëtar dhe bëhet një nga aktivistët kryesorë të krahinës. Më 8 tetor 1944, Sami Dangëllia arrestohet dhe burgoset në burgun e Korçës dhe vetëm një vit më vonë e shpallin “armik të popullit”. Sami Dangëllia u vendos në burgun e Burrelit. Më pas fillojë internimi, por së shpejti do të ridënohej dhe 1960 dënohet me 25 vjet burg dhe dërgohet përsëri në Burrel, ku do të merrte dhe nofkën “Gjyshi”.

Më pas kalvarin e vuajtjeve e kaloi në Spaç, ku Dangëllia punonte shumë për të nxjerrë bukën e gojës shtesë, pasi nuk kishte as një ndihmë nga të afërmit. Punoi i skllavëruar, por i pamposhtur nga torturat dhe më 21 Maj 1973, ishte një nga organizatorët e revoltës së Spaçit.

Pas revoltës së Spaçit, Dangëllia ridel për të tretën herë në gjyq dhe dënohet me 25 vjet burg dhe 5 vjet humbjen e qytetarisë pas burgut. Sami Dangëllia vdiq në moshën 61 vjeçare në burg, duke kryer 43 vjet burg, gati sa dyfishi i Mandelës. Ai vdiq më 23 prill 1987, në orën 23. Varrimi u bë nga burgu, pa e parë askush dhe pa e ditur se ku u varros.