Shkurt.ch

SBB e Zvicrës, më e mira në mesin e ndërmarrjeve hekurudhore në Evropë

Sondazhi përfshinte pothuajse të gjitha kompanitë hekurudhore nacionale evropiane që kanë trena të shpejtë dhe linja të përditshme prej të paktën 400 kilometrash

Hekurudha Federale Zvicerane SBB ofron shërbimin më të mirë në Evropë, sipas një raporti të ri, në të cilin u rendit e para në katër kategori.

Sondazhi u krye nga shërbimi i rezervimit online «Loco2», që përfshinte pothuajse të gjitha kompanitë hekurudhore nacionale evropiane që kanë trena të shpejtë dhe linja të përditshme prej të paktën 400 kilometrash.

Për udhëtimet familjare, hekurudha zvicerane SBB është numër një në Evropë dhe me trenat e saj regjional ka edhe zona të veçanta për fëmijët.

Zvicra, së bashku me kompaninë spanjolle ‘Renfe’, ofrojnë kushte më të mira për pasagjerët me aftësi të kufizuara, të cilët janë të pajisur me “ndihmë të sofistikuar dhe të koordinuar me kujdes”.

«Deutsche Bahn» i Gjermanisë mori rangimin më të lartë për politikën e saj të qëndrueshmërisë dhe për favorizimin e trenave elektrikë. Udhëtarët marrin një zbritje dhe pije të nxehtë në qoftë se kanë filxhanët e tyre.

«Deutsche Bahn» dhe “Hekurudha Austriake” janë në dy vendet e para për turistët, të cilët nuk kërkojnë rezervime dhe janë të pajisur me internet falas dhe shumë hapësirë ​​për bagazhet.