Kosova

Sefa raporton në komision për suspendimin e dy zyrtarëve të IPK-së

Ai pas takimit ka thënë se ka raportuar për gjendjen e krijuar në këtë institucion dhe të gjitha masat janë marrë konform ligjit në të mirë të qytetarëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka raportuar në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri për rrethanat e krijuara në Inspektoratin e Policisë së Kosovës, pas suspendimit të dy zyrtarëve të IPK-së. Por, raportimi i tij është bërë brenda dyerve të mbyllura dhe pa praninë e mediave.

Ai pas takimit ka thënë se ka raportuar për gjendjen e krijuar në këtë institucion dhe të gjitha masat janë marrë konform ligjit në të mirë të qytetarëve. Ministri Sefaj ka pranuar se kanë suspenduar edhe dy zyrtarë të IPK-së lidhur me konkursin në Inspektorat.

Megjithëse u ka kërkuar falje gazetarëve për mbylljen e komisionit, ai nuk ka dhënë detaj konkrete se çfarë informacionesh posedon e të cilat, sipas tij, mund të prishin hetimet.

Kryetari i Komisionit, Haxhi Shala, nuk tregoi shumë për raportimin, përveç faktit se ka pranuar se është themeluar Komisioni që do të monitorojë implementimin e ligjit për IPK-në. Ndryshe, deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri dhe ai i Nismës, Milaim Zeka, thanë se i kanë kërkuar Komisionit që të thërrasin në raportim edhe kryeshefin e suspenduar, Hilmi Mehmeti.