Sport

Seferi, pa konkurrencë

Nuri Seferi ka rrumbullakësuar në 30 numrin e fitoreve të realizuara në ringun profesionist, duke mposhtur hungarezin Jozsef Nagy me vendim unanim të gjyqtarëve pas 8 raundeve të zhvilluar në praninë e mbi 19 mijë tifozëve në “Lanxess-Arena” të Këlnit në Gjermani, njofton portali “Boxalb.com”.

Njëherit kjo është fitorja e 9-të radhazi për “Tysonin shqiptar”, i cili ka pronësi edhe brezin e kampionit të Evropës për peshën “kruizer”, titull ky që nuk ishte në lojë në këtë pëballje. Përballja Seferi-Nagy ishte pjesë e mbrëmjes, kur Vitali Klitschko mbrojti titullin e kampionit të botës përballë Odlanier Solis të cilin e nokautoi që në raundin e parë.

Në më pak se një muaj, pikërisht me 9 prill, boksieri shqiptar do të zhvillojë një tjetër përballje që do të zhvillohet në Hamburg të Gjermanisë. Përballë tij do të jetë letonezi Jevgenijs Andrejevs, një kundërshtar që “në letër” duket të jetë më i lehtë se sa boksierët me të cilët Seferi është përballur në tre duelet e tij të fundit.