Shqipëria

Sekretari belg në Shqipëri për t’i bindur shqiptarët të mos kërkojnë azil në Belgjikë

Shumica e shqiptarëve po përpiqen të fitojnë të drejtën e azilit, për të cilin kanë shumë pak gjasa. Gjatë kësaj periudhe janë parashikuar takime me autoritetet përkatëse politike e policore shqiptar

Sekretari shtetëror i Belgjikës, Theo Francken, nga e mërkura e deri të premten do të qëndrojë në Tiranë për të bindur shtetasit e Shqipërisë që të mos e lëshojnë vendin e tyre për një jetë më të mirë në Belgjikë.

Shumica e shqiptarëve po përpiqen të fitojnë të drejtën e azilit, për të cilin kanë shumë pak gjasa. Gjatë kësaj periudhe janë parashikuar takime me autoritetet përkatëse politike e policore shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Bashkimi Evropian dhe disa shtete, në mesin e të cilëve edhe Belgjika, viteve të fundit janë duke u ballafaquar me një numër të konsiderueshëm të azilkërkuesve shqiptarë, numër ky më i larti në Kontinentin e vjetër.

Madje, në Francë, azilkërkuesit shqiptarë kanë qenë në numër më të madh gjatë vitit të kaluar, se sa ata të vendeve të krizave të luftës, siç janë afganët, sudanezët apo sirianët.

Shqipëria është vlerësuar si shtet “me prejardhje të sigurt” nga Evropa dhe Belgjika. Ky kualifikim nuk i pengon autoritetet belge që të shqyrtojnë kërkesat individuale të kandidatëve për azil, sipas Konventës së Gjenevës.

Për shtetasit e vendeve “me prejardhje të sigurt”, shqyrtimi i kërkesave të azilit bëhet në mënyrë të përshpejtuar, shkruan “RTBF”, përcjell Albinfo.ch. Përqindja e njohjes së azilit në Belgjikë, tek shqiptarët arrin kuotën prej vetëm 5 për qind.