Kultura

Sekuencat e para të filmit “Lotët e mërgimtarit” në Zvicër

Në qytetin zviceran, Grenchen, ka filluar xhirimi i filmit të metrazhit të gjatë me synim të serisë, me titull pune “Lotët e mërgimtarit”, të autorit-skenaristit Agron Boriçi.

Sipas autorit Agron Boriçi, skenari për këtë film është një dramë sociale që ngërthen në vete jetën plot sfida të mërgimtarit në udhëkryqet e vendeve europerëndimore, njofton INA. “Është temë që prek shumë familje, shumë individë, duke zgjuar edhe ndjenjën e krenarisë, shpirtit fisnik të shqiptarit, duke kaluar nëpër situata të nduarduarta që kulmojnë me situata edhe komike edhe tragjikomike, në kërkim të një jete më të mirë, bashkimit familjar, kultivimit të traditës së mbrojtjes të identitetit, kulturës etj., përballë sfidave për t’u asimiluar e tretur.

“Nuk do të ishte e udhës që të shpalosim gjithçka nga brendia e filmit që besoj se pos anës tematike e sociale, e ka edhe atë artistike. Shpreh mendimin se një film me tematikë të këtillë, ose së paku të trajtimit të këtillë të jetës së mërgimtarit, e ata nuk janë të paktë, deri tani nuk është regjistruar në kinematografinë shqiptare”, theksoi Agron Boriçi.

Për realizimin e këtij projekti filmik që bëhet në produksionin Video-CH, në regji të Enis Limanit, me ndihmës Valton Jakupin dhe Agron Boriçin, ndërsa producent është Musa Limani.

Rolet kryesore u janë besuar artistëve të dëshmuar të skenës së teatrit dhe të dëshmuar edhe të filmit, për të interpretuar personazhet: Dalipi-Zijadin Murtezi, Nafa-Emine Kadriu, Dona-Emine Toska, Beni-Florim Brajshori, Arta-Albana Mustafa, Petra-Qëndresa Koxha, Komshiu-Agron Boriçi etj. etj.

“Vlen të theksoj, tha Agron Boriçi, se në Grenchen të Soloturnit bashkatdhetarët tanë nga trojet tona na kanë mirëpritur dhe na janë mbështetje e madhe drejt realizimit të këtij projekti. Me këtë rast, shpreh faleminderimet tona -të ekipit- për ndihmesën dhe mbështetjen e parezervë të familjes Zija Sulejmani nga Gjilani, familjes së Talat Kadriut nga Bujanoci e shumë e shumë të tjera, pa ndihmën e të cilave, do të kishim edhe më vështirë realizimin e projektit”, përfundoi Agron Boriçi, autor dhe skenarist i filmit që tashmë merr titullim “Lotët e mërgimtarit”.