Maqedonia

Sela dëshmon në gjykatë: “Donin të më vrisnin”

“Momenti i fundit mbaj mend që rashë në tokë, nuk e di si kam shkuar deri aty dhe mbaj mend që sapo rashë filluan të më godasin nga koka dhe trupi”

Deputeti dhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka dëshmuar për dhunën e ushtruar ndaj tij në Kuvend të Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar. Sela ka treguar gjithë ndodhinë e asaj dite, nga momenti i parë i futjes së turmës deri te tentimi për eliminimin fizik të tij, dhe humbjen e ndjenjave.

“Mbaj mend një moment që njëri nga truprojat ka shtënë me armë, në atë moment situata u qetësua disi”, ka thënë ai, derisa është pyetur nëse i kujtohet fytyra e ndonjërit prej personave që u drejtuan nga ai.

“Momenti i fundit mbaj mend që rashë në tokë, nuk e di si kam shkuar deri aty dhe mbaj mend që sapo rashë filluan të më godasin nga koka dhe trupi”, ka shtuar Sela.