Lajme

Sela paralajmëron dorëheqje nga kryetari i Strugës

Këtë vendim ai e ka marrë pasi ka fituar besimin e qytetarëve shqiptarë në këtë shtet për t’i përfaqësuar në nivelin qendror

Njeriu që i priu Aleancës për Shqiptarët në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni, Ziadin Sela, ka premtuar dorëheqje nga posti i kryetarit të Strugës. Këtë vendim ai e ka marrë pasi ka fituar besimin e qytetarëve shqiptarë në këtë shtet për t’i përfaqësuar në nivelin qendror.

Sela, në një deklaratë dhënë për mediet lokale në Shkup, ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që të kandidoje në pranverë për kryetar komune.

“Askush nuk duhet që të jetë në funksione publike si ai  i kryetarit të komunës më shumë se dy mandate, dhe ky për mua është mandati i parë. A do të jem kandidat…? Ne kemi një parti politike e cila do të vendosë për këtë. Nëse vlerësojmë se duhet që përsëri të jem kryetar komune, kjo gjë do të bëhet”, deklaroi Sela, i cili kishte fituar bindshëm në zgjedhjet lokale, duke i mundur të gjitha partitë maqedonase.