Kosova

Selektori kroat Cacic: Secili ekip do ta ketë vështirë kundër Kosovës

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kroacisë, Ante Cacic ka paralajmëruar se çdo ekip që do të luajë kundër Kosovës do ta ketë shumë të vështirë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka bërë një paraqitje të mirë në Zagreb kundër Kroacisë, edhe pse humbi me rezultat 1:0. Kjo paraqitje e futbollistëve të Albert Bunjakit, nuk ka lënë pa u komentuar nga selektori i përfaqësueses së Kroacisë, Ante Cacic, i cili tha se kombëtarja e Kosovës po përmirësohet dukshëm nga dita në ditë.

Cacic ka paralajmëruar se çdo ekip që do të luajë kundër Kosovës do ta ketë shumë të vështirë.

“Natyrisht nuk më kanë befasuar, gjatë këtyre javëve e kam paralajmëruar si një lojë shumë të rëndësishme e cila do të jetë me shumë befasi, dhe natyrisht Kosova nga ndeshja në ndeshje është duke u rritur. Edhe moti ju ka përshtatur pasi është më lehtë të organizosh mbrojtjen në një mot të tillë, por besoj se deri në fund të këtij cikli të garave çdokush që do të luaj ndaj Kosovës do ta ketë shumë të vështirë”, ka thënë Cacic.

Ai u shpreh i lumtur për marrjen e tre pikëve ndaj Kosovës, sepse sipas tij, ky ishte qëllimi kryesor i kroatëve, duke theksuar se pret që Kosova në të ardhmen të krijojë lojë edhe më cilësore, citon KP.

“Ne kemi pasur qëllim që ti fitojmë këto tri pikë dhe e kemi arritur këtë qëllim, në anën tjetër siç e thashë edhe më herët Kosova ka përparuar në lojën e vet, ka avancuar dukshëm, dhe ka arritur që përmes disa veprimeve ti krijojnë rastet e tyre. Kanë qenë shumë luftarak, dhe pres që në të ardhmen të kenë një ekip shumë më kompakt, lojtarë që avancojnë shumë më tepër dhe të kenë një lojë shumë më cilësore”, u shpreh Cacic.

Kroacia ndeshjen e ardhshme e luan të martën kundër Turqisë, në Stamboll, ndërsa Kosova e pret Finlandën në Shkodër. Kroacia aktualisht është duke prirë në grup, derisa Kosova është e fundit me një pikë, transmeton albinfo.ch.