Gjuha

Seminari i mësuesve nga Diaspora në Gjakovë

Mysafir i veçantë do të jetë Prof. Dr. Dr. Basil Schader nga Shkolla e Lartë Pedagogjike e Cyrihut

Seminari i 13-të me radhë i mësuesve nga diaspora do të mbahet nga 1 deri më 4 gusht në Gjakovë, ku do të marrin pjesë mësuesit nga shumica e vendeve evropiane.

 

Seminari organizohet nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë (MASH) dhe Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë së Kosovës (MASHTK) dhe komuna nikoqire e Gjakovës, njofton ‘pashtriku.org’.

 

Mysafir i veçantë do të jetë Prof. Dr. Dr. Basil Schader nga Shkolla e Lartë Pedagogjike e Cyrihut, përcjell albinfo.ch.

 

Rëndësia e seminarit është komplekse dhe shumëdimensionale: shkëmbim përvojash, ligjërata nga pedagog ekspertë të kulturës e gjuhës, promovime tekste mësimore e artistike, njohje me trashëgiminë kulturore të qytetit nikoqir.

 

Krahas ligjëratave nga pedagog e gjuhëtar eminent do të prezantohen tekstet e reja didaktike e metodike të dedikuara mësuesve të gjuhëve amtare në disa gjuhë mes tyre edhe në gjuhën shqipe, të quajtur doracakë.

 

Krahas seminarit tradicional në vendlindje, tani disa vjet me radhë në disa vende po mbahen edhe seminare trajnuese rajonale si në Greqi, Kroaci, Itali, Austri, Zvicër etj, të përkrahura nga MASHT- Kos dhe Ministria e Diasporës, kurse jo edhe nga MA e Shqipërisë si bartëse kryesore e detyrimeve ndaj mërgatës shqiptare.