Sport

Sepp Blater: Intervistë ekskluzive për albinfo.ch

"FIFA mbron të drejtën e lojtarëve kosovarë sa i përket të drejtës së tyre për transferim ndërkombëtar"

albinfo.ch: Z. president i FIFA-s, cila është pozita aktuale e FIFA-s në lidhje me kërkesën për njohje të ekipit kombëtar të Kosovës?

Sepp Blater: Njohja e Federatës së Futbollit të Kosovës, dhe jo vetëm ajo e ekipit kombëtar, lidhet me njohjen e shtetit të Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht nga OKB-ja. Tani për tani, sipas informatave tona, vetëm 75 vende e kanë njohur Kosovën.

albinfo.ch: Në qoftë se dialogu i sapofilluar mes autoriteteve serbe dhe të Kosovës nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian do të duhej të intensifikohet, a do të ushtrojë një ndikim të favorshëm në pozitën e FIFA-s? Me fjalë të tjera, a është e lidhur njohja eventuale e FIFA-s me normalizimin politik dhe diplomatik në mes të Serbisë dhe Kosovës? 

Sepp Blater: Njohja e mundshme nga FIFA nuk ka asgjë të bëjë me bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, ne presim vendimin e Kombeve të Bashkuara. 

albinfo.ch: Çfarë shikimi keni ju, z. President, për lojtarët e Kosovës, sikur Valon Behrami e Xherdan Shaqiri, të cilët veprojnë në kuadër të ekipit kombëtar zviceran? 

Sepp Blater: Lojtarët me origjinë kosovare, siç janë Behrami e Shaqiri, janë lojtarë të shkëlqyeshëm që kanë zgjedhur nacionalitetin zviceran, gjë që pasuron futbollin tonë kombëtar dhe ndërkombëtar. FIFA mbron të drejtën e lojtarëve kosovarë sa i përket të drejtës së tyre për transferim ndërkombëtar.

albinfo.ch:  Si mund të kontribuojë në qetësimin dhe zhvillimin e Ballkanit familja e futbollit? 

Sepp Blater: Këtë e ka bërë prej shumë vjetësh. Por, tani vendet e Ballkanit duhet t’i marrin sipër punët e tyre në vend, qoftë në fushën e disiplinës (Serbi, Kroaci), qoftë në lidhje me respektin e statuteve tona (Bosnjë e Hercegovinë).