Lajme

Serbia nuk i kthen 2 miliardë euro të pensionistëve kosovarë

“Serbia, përveç kthimit të Fondit Pensional me kamata, do të duhej njëkohësisht të fillonte të paguante të gjitha pensionet, pensionistëve që kanë punuar”, thotë eksperti i ekonomisë, Naim Gashi

Që nga përfitimi i luftës, Serbia po vazhdon t’i mbaj më shumë se 2 miliardë euro, mjete të Fondit Pensional të Kosovës. Kjo çështje, sikurse edhe shumë tjera, ka mbetur e pazgjidhur dhe e papërfshirë në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dialogun që po e lehtëson Bashkimi Evropian.

Përfaqësuesit e pensionistëve kërkojnë nga faktori ndërkombëtar dhe ai vendor, që të bëhet presion mbi Serbinë, që të zgjidhet çështja e kompensimit të pensioneve.

Sipas Shoqatës së Pensionistëve, në periudhën kur në mënyrë joligjore është marrë Fondi Pensional nga ana e Serbisë, numri i pensionistëve ishte llogaritur të jetë më shumë se 89 mijë.

Ndërkaq, aktualisht llogariten se janë rreth 50 mijë pensionistë, të cilët presin realizimin e të drejtës së tyre për kompensim, raporton REL.

Shaban Kajtazi është udhëheqës i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës.

“Së pari, i jemi drejtuar Komitetit të Këshillit të Evropës, që në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare në Strasburg, ta obligojë Serbinë që t’ua kthejë të gjitha pensionet, pensionistëve të Kosovës. Komiteti i Këshillit të Evropës e ka shqyrtuar kërkesën disa herë, kurse kërkesa e fundit është në shqyrtim e sipër”, thotë Kajtazi.

Pesimist për mundësimin e kthimit të Fondit Pensional, shprehet Haki Berisha, i cili në atë kohë ka punuar në ndërmarrje shoqërore. Ai thotë se pavarësisht presioneve që po bëjnë autoritetet e Kosovës, Serbia nuk do ta kthejë borxhin e pensionistëve.

“Nuk besoj që Serbia do t’i kthejë pensionet. Serbia nuk respekton asnjë marrëveshje karshi Kosovës, madje as dëmshpërblimet e luftës”, thotë Berisha.

Ekspertë të çështjeve ekonomike, ndërkaq, theksojnë se kjo problematikë është dashur të zgjidhjet qysh moti.

Naim Gashi thotë se Serbia është nënshkruese e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe e cila e njeh të drejtën e pensionimit. Kështu që, sipas tij, është e papranueshme me çdo standard dhe kriter ndërkombëtar që pensionistët kosovarë nuk i kanë marrë pensionet nga Serbia.

“Kjo do të thotë se Serbia, përveç kthimit të Fondit Pensional me kamata (për mbajtjen e saj për 17 vjet) do të duhej njëkohësisht të fillonte të paguante të gjitha pensionet, pensionistëve që kanë punuar. Por, unë mendoj se autoritetet vendore nuk kanë bërë mjaftueshëm që ta shtyjnë agjendën e kthimit të Fondit Pensional dhe fillimin e pagesës së pensioneve nga Serbia, as në bisedimet e Vjenës, as ato në Bruksel, por as gjatë bisedimeve me faktorin ndërkombëtar”, thotë Gashi.

Sipas vlerësimeve të përafërta, thuhet se shuma e Fondit Pensional të Kosovës, i cili është marrë nga Serbia, arrin vlerën deri në dy miliardë euro.