Sport

Shaqiri, “pazari” i dytë më i mirë i Bajernit

Ndonëse klubit bavarez i ka kushtuar 12 milionë euro, Xherdani është plasuar shumë më mirë se sa Martinez, për të cilin janë paguar 40 milionë!

Ish lojtari i njohur i Bajernit, Andreas Brehme ka bërë një ranglistë të lojtarëve më të mirë, të blerë së fundi nga Bajerni.

Ndonëse “xhuxhi magjik”, Xherdan Shaqiri i ka kushtuar klubit bavarez “vetëm” 12 milionë euro, ai është plasuar shumë më mirë në këtë listë se sa, fjala vjen, Martinez, për të cilin janë paguar 40 milionë!

“Shaqiri është ende shumë i ri por jashtëzakonisht simpatik. Kur ai futet në lojë, bashkë me të futet edhe jeta, gjallëria”, thotë ish kampioni botëror i vitit 1990 për gazetën “Abend Zeitung”.

Ndërkaq, sipas Brehmes, Shaqiri jashtë fushës është stabil dhe serioz. “Unë e kam takuar atë njëherë dhe ia kam shprehur komplimentet e mia. Ai do ta gjejë rrugën e tij në Bajern”, thotë ish lojtari që ka luajtur 86 herë për kombëtaren gjermane.

Sipas tij, vetëm lojtari i mbrojtjes, Dante është më i mirë se Shaqiri në mesin e blerjeve të sezonit të fundit të Bajernit. Dante madje është mbrojtësi i brendshëm më i mirë i gjithë bundesligës, ka thënë Brehme.

Ai ka shtuar se pas semestrit të parë që ka shërbyer më shumë për orientim, në sezonin pranveror do të pasojnë “provimet” për lojtarët në mesin e ri.

Por “Shaqiri tashmë e ka dhënë provimin e tij”.