Sport

Shaqiri, Xhaka dhe Mehmedi në Muzeun Kombëtar të Zvicrës, afër Federerit dhe Einsteinit

© Kefalas Georgios

Në Swiss Pres Photo, çmimin më prestigjioz të fotografisë gazetareske të Zvicrës, shqiptarët janë temë e gazetarëve, si yje të shtetit helvetik dhe si banorë shembull i mirë i këtij vendi.

Pranë fotografisë së Einsteinit, Voltaire-it dhe Federerit në Muzeun Nacional të Zvicrës është fotografia e ekipit futbollistik nacional të Zvicrës, në të cilin janë tre shqiptarë dhe disa të huaj të tjerë që kanë emigruar në Zvicër dhe kanë arritur ta bëjnë vendin pritës krenar me ta.

Në një mur në fillim të muzeut gjenden një sërë fotografish të personave të ndryshëm, të cilët kanë ardhur në Zvicër vetë, e disa që kanë ardhur me prindërit e tyre dhe kanë arritur që shtetin helvetik ta bëjnë sikur vendin e tyre.

Në mesin e tyre përnjëmend ka emra të mëdhenj, roli i të cilëve në fusha të ndryshme ka ndikuar në ndryshime që kanë vënë kufirin më mes të kohëve, sikur që është themeluesi i teorisë së relativitetit, Albert Eistain, shkrimtari i njohur francez, i ndjekur nga shteti i vet, Voltaire, apo edhe themeluesi i renesansës, Erasmus i Rotterdami.

Tash në këtë mur për të gjithë zviceranët që dëshirojnë të hapin mendjen ndaj të huajve, me të cilët ky shtet mburret, janë edhe treshja shqiptare e reprezentacionit të Zvicrës: Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Edhe pse zyrtarët e muzeut kishin shkruar gabimisht emrin e Xherdanit, duke e shkruar atë Yherdan.

Mirëpo përveç ekspozitës permanente në këtë muze, në pjesën e ekspozitave të herëpashershme sërish paraqitet një fotografi e Shaqirit, me të cilën zvicerani Georgios Kefalas ka konkurruar për të marrë çmimin prestigjioz të fotografisë Swiss Press Photo. Aty shihet Shaqiri duke treguar me gishta për numrin e golave që ai ka dhënë në lojën kundër Bullgarisë.

© Guiraud Laurent

Mirëpo, paraqitja e shqiptarëve nuk përfundon me kaq. Edhe pse ndoshta jo një njeri i famshëm si Xherdan Shaqiri, një shqiptar i verbër në lindje paraqitet në njërën nga fotografitë. Myzafer Iseni në fotografinë e Lauren Guiraud shihet duke u futur në liqenin e Gjenevës, të cilin e ka kaluar gjatë Krishlindjeve në not vetëm duke e përcjellë zërin e mikut të tij, Francis Manent.

Në legjendat e fotografisë së “Tribune de Geneve”, Hiseni citohet duke thënë se këtë e ka bërë: “Për t’u kënaqur dhe për të bërë diçka ndryshe”. Kjo fotografi ka fituar vendin e tretë në kategorinë e sporteve Swiss Press Photos që është ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Zvicrës në Zyrih.

© Cottet Bertand

Edhe pse nuk është ekspozuar në muze, në kuadër të fotografive të kësaj gare ka pasur edhe shqiptarë të tjerë. Në një fototregim të quajtur myslimanët e Zvicrës të Cottet Bertand shihet një grua shqiptare e veshur në stilin modern perëndimor, duke dhënë kështu një pamje moderne të shqiptarëve në shtetin helvetik.

Natyrisht në asnjërën nga këto fotografi nuk tregohet etnia shqiptare e të portretuarve, mirëpo për të gjithë ata me mendje të hapur kuptohet mesazhi i këtyre fotografive.

Për t’i parë fotografitë që përmenden në artikull mund të shkoni në faqen e http://www.swisspressphoto.ch/ dhe t’i kërkoni fotografitë në bazë të autorit duke klikuar në lidhjen pjesëmarrësit.