Bota

SHBA e gatshme të godasë sërish Sirinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati për të goditur sërish Sirinë, nëse përsëriten sulme të tjera kimike.

Ky paralajmërim vjen pasi SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca goditën me raketa tre qytete siriane në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik në Douma, rreth një javë më parë, përcjell albinfo.ch.

Siria ka mohuar përdorimin e agjentëve kimikë dhe tha se sulmi u fabrikua nga rebelët.

Vala e sulmeve është më e madhja ndonjëherë ndaj qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad nga fuqitë perëndimore në shtatë vitet e luftës civile në Siri.

Në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ditën e shtunë, Rusia e akuzoi Perëndimin për sulmet që erdhën pa pritur rezultatet e hetimit të sulmit të dyshuar kimik në Douma. Rusia u shpreh se SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca u sollën si huliganë dhe “treguan shpërfillje ndaj ligjeve ndërkombëtare”.