Shqipëria

Shembja e urave, ARRSH: Do të inspektohen të gjitha urat

Edhe Shqipëria ka marrë masat dhe është në gatishmëri për verifikimin dhe inspektimin e urave dhe veprave publike.

Edhe Shqipëria ka  marrë masat dhe është në gatishmëri për verifikimin dhe inspektimin e veprave publike pas shembjes së urës “Morati” në Itali, ku humbën jetën më shumë se 40 persona.

Sipas drejtorit të ARRSH-së, Afrim Qendro, situata nuk paraqitet emergjente, por gjithsesi të paktën 7 ura kanë nevojë për ndërhyrje.

“Nga 3.975 vepra publike në vend, 1.200 janë ura dhe monitorohen nga ARRSH-ja, me një kontroll periodik 1 herë në vit dhe ndërhyrje të vazhdueshme gjatë periudhës që mirëmbahen e shfaqen probleme. Ne kemi ndërhyrë në 25 ura dhe më problematiket kanë qenë ura e Mborjes, e Sulotit dhe Zëmblakut. Nuk kemi emergjenca, ndërkohë që kemi dërguar në qeveri disa projekte ku është hapur gara për tenderin”, ka thënë ai.

Kreu i ARRSH-së theksoi po ashtu se problem janë automjetet e rënda që kalojnë në ura, ndërsa sipas tij sinjalistika e vendosur është e saktë.