Shqipëria

Shfaqet filmi shqiptaro-zviceran që flet për kohën e komunizmit

Filmi dokumentar “Përballimi i së shkuarës”, rrëfen për shtatë histori shqiptare që merren me përjetimet e kohës së komunizmit nga perspektiva të ndryshm

Filmi dokumentar shtatë histori shqiptare është shfaqur mbrëmë në një kinema në Tiranë falë një bashkëpunimi zvicerano-shqiptar.

Filmi dokumentar është realizuar nga studentet e Akademisë së Arteve dhe është mbikëqyrur nga Eric Bergkraut dhe Kujtim Çashku. Filmi dokumentar “Përballimi i së shkuarës”, rrëfen për shtatë histori shqiptare që merren me përjetimet e kohës së komunizmit nga perspektiva të ndryshme.

Ideja për realizimin e këtij filmi lindi nga regjisori dhe producenti zviceran i cili morri pjesë në vitin 2016 në festivalin e filmit për të drejtat e njeriut ku edhe u njoh më nga afër me Shqipërinë, përcjell albinfo.ch.

Gjatë një vizite në “Bunk ART” ekspozita ku shfaqeshin histori të ndryshme të kohës së komunizmit, Bergkraut thotë se ka parë një vajzë me triko (maicë) ku shkruante “I love BunkArt”, kjo e ngacmoi atë, pasi lindën pyetjet se çfarë kuptimi ka e kaluara për individët, por edhe për shoqëritë e në veçanti për shoqërinë shqiptare.

Pasi u njoh më shumë me të kaluarën regjisorit zviceran i lindi ideja për të bërë një film mbi të shkuarën me këtë tematikë. I gjithë projekti u realizua në bashkëpunim me Kujtim Çashkun dhe studentët e Akademisë.

“Dokumentari nuk është asgjë tjetër, por veç një përpjekje për të treguar histori, për të treguar të vërtetën, është e kundërta e propagandës”, ka thënë regjisori Bergkraut.