Integrimi

Shfaqje filmi dhe debat: “Pjesëmarrja të bën të ekzistosh”

Më 3 prill 2017, në orën 19:00, në Shtëpinë e Arteve në Grütli (Maison des Arts de Grütli) do të mund të shikoni shfaqjen e filmit të shkurtër të realizuar nga Albinfo.ch, i cili do të përcillet me një debat rreth “Pjesëmarrjes së të rinjve me orgjinë të huaj” në Zvicër, me praninë e Antonio Hodgers, Sandro Cattacin, Veronica Almedon dhe Nicolas Roguet.


Me qëllim të vetëdijesimit të të rinjve dhe prindërit e tyre për rëndësinë e angazhimit qytetar, politik dhe socio-kulturor në Zvicër, Albinfo.ch ka realizuar një film dhe ka organizuar një debat mbi angazhimin e të rinjve në jetën shoqërore në Zvicër.

Vërejmë se fëmijët dhe të rinjtë me prejardhje emigrante, veçanërisht ata të valëve të fundit të emigracionit, nuk janë shumë aktivë në shoqata si dhe në fushën socio-politike në Zvicër. Për të inkurajuar pjesëmarrjen e tyre, filmi me titullin “Pjesëmarrja të bën të ekzistosh” është prodhuar nga të rinjtë dhe për të rinjtë. Ai u sjell një dëshmi të rinjve me prejardhje emigrante, të cilët janë angazhuar në shoqata të ndryshme në Zvicër. Njohës të kësaj çështjeje si dhe politikanë do të theksojnë ndikimin pozitiv të përfshirjes së të rinjve në integrimin harmonik social, kulturor dhe politik në Zvicër, por edhe për lëvizshmërinë e tyre sociale dhe profesionale.

Ky debat do të përfshijë politikanë dhe njohës të kësaj teme, siç është: Antonio Hodgers, Këshilltar shtetëror në Kantonin e Gjenevës, Sandro Cattacin, profesor në Universitetin e Gjenevës, Veronica Almedon,  aktiviste e re dhe anëtare e Komisionit Federal për Migracionin, si dhe Nicolas Roguet (mbetët për ta konfirmuar), komisar për integrim në BIC në Gjenevë.

Shfaqja e këtij filmi, e ndjekur nga debate me aktorë nga fusha politike e shoqërore, do të bëhet edhe në Lozanë dhe në Fribourg, në muajt prill-maj 2017.