Kultura

“Shfaqje me 4 aktorë…” e Nezirajt në “Schlachthaus” të Bernës

Më 20 dhe 21 janar shfaqja jepet me fillim në orën 20.30 ndërsa më 22 janar, në orën 16.00

Më 20 janar në teatrin “Schlachthaus” të Bernës jepet premiera zvicerane e shfaqjes “një shfaqje teatri me 4 aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë”

Jeton Neziraj, Blerta Neziraj dhe “Qendra Multimedia” e Prishtinës kanë pas vetes disa projekte bashkëpunimi me teatrin e përmendur të Bernës. Projekti “S`ka problem” me aktorë nga Kosova dhe nga Zvicra ka qenë së fundi në këtë seri. Ndërsa “Kosovo for dummies” e shfaqur vitin 2015 me tekst të Jetoin Nezirajt ishte një bashkëprodhim edhe me “Forever Productions”, kompani e udhëhequr nga aktorja shqiptare që jeton në Zvicër, Albana Agaj.

“Shfaqja me 4 aktorë…”, e dhënë më parë në Prishtinë, do të jepet më 20,.21 dhe 22 janar në Bernë, si koproduksion i radhës.

Në prezantimin e shfaqjes veç tjerash thuhet: “Mbas daljes tragjikomike të Britanisë së Madhe nga BE, vendi i ngelur bosh duhet të plotësohet shpejt, përndryshe BE do të mund shkatërrohet. Evropa ka kthyer sytë nga Kosova, e cila papritur gjendet para një mundësie historike të cilën ajo medoemos dëshiron ta shfrytëzojë. Por, siç ngjan zakonisht, ekziston edhe një sfidë e madhe. Pos Kosovës, mundësinë për të hyrë në BE e ka edhe Serbia. Njerëz dhe kafshë në Kosovë mobilizohen t‘i plotësojnë më mirë dhe më shpejtë se sa Serbia standardet që Evropa ka vënë si kusht. Dokumenti bazë i EU-së, që u dorëzohet autoriteteve kosovare, quhet Kosova dhe 3,000 rregullat e lehta të rrugës evropiane. Thertorja Tony Blair në Prishtinë, nga tash e tutje, duhet të fillojë të shesë mish me cilësi dhe prejardhje të kontrolluar. Në përpjekjen e tyre për të plotësuar këtë kusht, pronarët e thertores bëjnë një udhëtim kafkian nëpër administratën qeveritare, duke pasur të bëjnë me burokratë e zyrtarë halabakë e të korruptuar. Madje, në kopshtin zoologjik të Shkupit, atyre u duhet të vjedhin edhe një gjirafë për Kryeministrin e Kosovës, të cilin ai e ha për ditëlindjen e tij. Dhe derisa njerëzit e shtetit të ri angazhohen me naivitet në këtë sfidë të re, bota orvelliane e kafshëve mobilizohet dhe dëshiron ta shfrytëzojë këtë momentum politik për të adresuar e artikuluar kërkesat e tyre për therje më të dinjitetshme. E shkruar nga një cinik vendas, kjo shfaqje teatri është një panoramë tragjikomike e realitetit të tanishëm kosovar dhe atij evropian. Aspirata e sinqertë e kosovarëve për në BE konfrontohet, në njërën anë, me rregullat e kërkesat e koklavitura dhe qesharake evropiane dhe, në anën tjetër, me hilen e burokratëve për t‘i bërë gjërat ‚të duken ok vetëm në letër‘”.

Shfaqja jepet në gjuhën shqipe, me titra gjermanisht.

Autor i tekstit është Jeton Neziraj ndërsa regjisore, Blerta Neziraj. Aktorë: Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpetim Selmani: instrumentistë: Art Lokaj (kitarë elektrike) Drin Tashi (bateri); Muzika: Gabriele Marangoni; Koreografia: Adrienne Hart; Skenografia: Petra Veber; Kostumografia: Vesa Kraja Dritat: Radomir Stamenkovic; Përkthimi gjermanisht: Zuzana Finger.
Më 20 dhe 21 janar shfaqja jepet me fillim në orën 20.30 ndërsa më 22 janar, në orën 16.00.

Biletat mund të porositen me email në adresën: http://www.schlachthaus.ch/tickets/kaufen.php?id=3483

ose të blihen në arkën e teatrit

Biletat e rregullta (për të rriturit) kushtojnë 25 franga

Me zbritje (Studentët, pastaj të tjerët me abonamentë të ndryshëm si kulturlegi etj.) 20 franga

U16 (për fëmijë dhe të rinj nën moshën 16 vjeçare) 15 franga

Schlachthaus Theater Bern
Rathausgasse 20/22
CH-3011 Bern

Tel 031 312 96 47
Fax 031 312 96 49

[email protected]