Zhvillim

Shkëmbim me vlerë i përvojave ndërmjet Bazelit dhe Gjakovës

Vizita e nënkryetarit të Komunës së Gjakovës, Ramadan Hoti në Bazel ishte me qëllim përfitimin e përvojave nga kantoni i Bazelit në drejtim të grumbullimit dhe përpunimit të thellë industrial të mbeturinave

Me nismën dhe kujdesin e Zyrës së ASBM-së (Qendrës për Arsimim dhe Këshillim) me seli në Bazel të Zvicrës, nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Ramadan Hoti, ka qëndruar për vizitë zyrtare në këtë qytet të shtetit helvetik, që për qëllim si agjendë kishte njohjen dhe mundësinë e aplikimit sipas një plani strategjik shumëvjeçar, në Komunën e Gjakovës dhenë gjithë Kosovën, përvojën e kantonit të Bazelit në drejtim të grumbullimit dhe përpunimit të thellë industrial të mbeturinave apo të mbetjeve të shumëllojshme.

Vizita filloi në firmën „Lottner AG“, me seli ne Basel, ku miqtë nga Kosova të udhëhequr nga nënkryetari Ramadan Hoti, u pritën përzemërsisht nga drejtori, z. Moser. Të theksojmë se që nga shtatori 2003,“Lottner AG“ udhëheq Recycling Park (parkun e riciklimit), ku grumbullohen dhe përpunohen mallrat e rënda, pajisje shtëpiake, elektronike,  të konsumit, mbeturina të rrezikshme në sasi të vogla dhe mbetje të ndryshme nga ekonomitë familjare private, tregtare, zyrtare, administrative,  etj. Z.Moser  informoi gjerësisht për punën dhe përvojën e pasur të kësaj ndërmarrjeje në këtë fushë, si dhe për për politikat dhe strategjinë  afatgjate të punës, duke parashikuar investime në rritje të vazhdueshme.

Më pas, zyrën e ABSM-së,  mysafirët nga Kosova u pritën nga ish  pronari i firmës „Lottner AG“,  z. Peter Lottner. Ai informoi se vështirësitë e shumta janë tejkaluar me punën dhe me përkushtimin e lavdërueshëm të  personelit drejtues dhe teknik  si dhe të të gjithë kolektivit. Njëherazi,  duke shfrytëzuar edhe  përvojat pozitive në këtë drejtim nga Zvicra dhe vende të tjera, të cilat janë  janë të domosdoshme që të zbatohen në të ardhmen  edhe nga  Komuna e Gjakovës apo komunat e tjera të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, nënkryetari Ramadan Hoti bëri edhe një vizitë në KVA Basel, ku me vëmendje dhe interes u shikua procesi i punës, se si bëhet djegia e mbeturinave te mbledhura në qytetin dhe kantonin e Bazelit. Nëpërmjet djegies së mbeturinave në KVA bëhet  prodhimi i një sasie të konsiderueshme të energjisë elektrike si dhe realizohet ngrohja e qytetit.  Këtu digjen dhe përpunohen me teknologji moderne dhe me leverdi të ndjeshme financiare, ekonomike dhe ekologjike mbeturinat në të gjithë rajonin Basel-Stadt, Basel-Land dhe rrethin Lörach (ky i fundit, në Gjermani). Uzina prodhon energji ekologjikisht miqësore,  sasi të mëdha avulli për bimët industriale, për ngrohjen qendrore të rrjetit më të madh Zvicrës, ngrohje dhe energji elektrike për IWB dhe klientët e tyre.

Kapaciteti vjetor i djegies së mbeturinave është rreth 230000 ton dhe efikasiteti i përgjithshëm (përqindja e energjisë së dobishme nga mbeturinat) është në rreth 80%. Vlen të theksohet kujdesi që i kushtohet në këtë kanton edukimit të qytetarëve, sidomos të fëmijëve dhe të nxënësve të shkollave me kujdesin e ndërgjegjshëm e të përhershëm për grumbullimin dhe hedhjen e mbeturinave në vendet e caktuara.

Për të shikuar këtë proces u bë një vizitë në impiantin apo tunelin e energjisë në qytetin e Oltenit. Këtu nënkryetari Hoti u informua gjerësisht për prodhimet e energjisë alternative dhe për planin strategjik  të shtetit zviceran. Të theksojmë se tuneli, i cili është ndërtuar në kulmin e stacionit Olten, nën Aare, është një nga impiantet modern dhe të fuqishëm për mbrojtjen e ambientit dhe të njerëzve, për menaxhimin e katastrofave. Nëpër të kalojnë dhe funksionojnë  kabllot dhe tubacione të energjisë elektrike, të gazit, ujit dhe telekomit, e tj.  Ky tunel është edhe një qendër e pasur informacioni dhe përvoje.  Me moton “Energji dje – sot – nesër ” ofrohen informacione të shumta, që mundësojnë  një udhëtim nëpër kohë nga e kaluara. Këtu mëson për mënyrën e  furnizimit me energji elektrike të qytetit, të banorëve dhe objekteve industriale, ekonomike dhe prodhuese, të institucioneve arsimore, kulturore,  qeverisëse, në dy shekujt e fundit si dhe për strategjinë, planet dhe projektet për të ardhmen.

Një mësim i vyer apo një përvojë e vlefshme që u përfitua gjatë vizitës dhe takimeve në Kantonin e Bazelit ishte se autoritetet qeverisëse këtu nuk mendojnë ngushtësisht, kryesisht për një kohë të shkurtër, sa janë vetë në qeverisje dhe në drejtim. Ata  përgatisin strategji të mirëstudiuara për një kohë shumë të gjatë dhe me përfitime të mëdha të garantuara, në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe të vendit të tyre.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Ramadan Hoti, mori pjesë edhe në solemnitetin e organizuar për nder të nëntëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, e cila u mbajt në Wintertur, nën organizimin e ansamblit ‘’Trojet’’, e ku ishte i pranishëm edhe konsuli i Republikës së Kosovës në Bernë, dr. Sali Sefa.

Me të përfunduar të qëndrimit në Zvicër, nënkryetari i Komunës, Ramadan Hoti, ka falënderuar z.Skender Nikoliqi si  dhe gjithë bashkatdhetarët për takimet e frytshme që patin ë Zvicër.