Lajme

Shkoi si emigrant, u bë ambasador

Shtatë vjet pas pavarësisë së Kosovës, ambasadori i parë i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj lë postin e tij. Ai ishte emigranti kosovar që u bë ambasador

Ikja e Naim Malajt nga posti i ambasadorit të Kosovës në Zvicër, ka ngjallur reagime edhe në Ballkan. Duke iu referuar një kronike të televizionit shtetëror zviceran, për Malajn thuhet ish-emigranti i dënuar politikisht në ish-Jugosllavi, u bë ambasador i suksesshëm në Zvicër.

Naim Malaj, fillimisht do të punonte si asistent social e me kalimin e viteve fitoi të drejtën për të qenë shtetas zviceran. Malaj do të emërohej si ambasador i Kosovës në Zvicër. 7 vjet pas pavarësisë së Kosovës, ambasadori i parë i Kosovës në Zvicër, ka vendosur të lërë postin e tij, shkruan TCH.

Televizioni shtetëror zviceran ka përgatitur një kronikë speciale me rastin e dorëheqjes nga posti i ambasadorit Malaj në Bernë. Kronika televizive nis me koktejin diplomatik në selinë e Vatikanit në Bernë, një ceremoni që zhvillohet me rastin e largimit të ambasadorëve në Zvicër.

Këtë vit është radha e përfaqësuesit të Kosovës.

“Të them të drejtën, kur më propozuan të jem ambasador, ndjeva drojë se thoja se ambasadorët nuk janë si gjithë të tjerët”, thotë Malaj, citojnë mediet.

Gazetari zviceran thotë se Naim Malaj nuk është diplomat si të tjerët. Ai vjen në Zvicër si refugjat në vitin 1990, pasi kishte kaluar 4 vite në burgjet serbe. Shumë shpejt ai aktivizohet në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës.

“Edhe para se të merrja shtetësinë zvicerane e ndjeja veten qytetar të këtij vendi. E njoh mentalitetin, më pëlqen mënyra e të bërit politikë, më pëlqen modestia e politikanëve, thjeshtësia e këtij vendi”, shprehet Malaj.

Një deklaratë interesante për ambasadorin Malaj e ka dhënë edhe deputeti i Parlamentit dhe kryetar i Komisionit për politikë të jashtme në Zvicër, Carlo Sommaruga.

“Mendoj se ka pasur dy prioritete të rëndësishme që ka përmbushur Naim Malaj në Zvicër. Së pari, lidhja e marrëdhënieve midis shtetit të Kosovës dhe shtetit të Zvicrës. Është me rëndësi se ai i njihte mirë të dyja realitetet dhe e dyta arriti që të bënte të mundur pranimin dhe njohjen sa më të mirë të komunitetit kosovar në Zvicër, si në nivelin politik ashtu edhe në atë social”, thotë ai.

Në fund të kronikës, gazetari zviceran thotë se “pas gjashtë vjetësh pune të palodhshme në petkun e ambasadorit në Zvicër, Naim Malaj e heq këtë petk me ndjenjën e detyrës së përmbushur”.