Gjuha

Shkolla Shqipe e Kantonit të Aargaut përgatitet për festë!

Të dielën me datën 12. Nëntor 2017 u mbajt takimi i radhës së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë « Naim Frashëri » të Kantonit të Aargaut. Takimi u mbajt në rezidencën e pronares Merita Pinta në Tegerfelden, e cila njëherit është edhe sekretare e Lidhjes

Takimi i anëtarëve të Kryesisë Kantonale me datën 12. Nëntor 2017, në Tegerfelden kishte për qëllim takimin e rregullt të Kryesisë në shërbim të organizimit sa më të mirë të festës së 28 Nëntorit si dhe një nderim i veçantë ndaj mësuesit Hamzë Morina, i cili para disa muajve është pensionuar.

Pronarja  e firmës “Prima Pflege” në Tegerfelden me këtë rast kishte organizuar edhe një apero për pjesëmarrësit, me qëllim që festën e fundvitit ta festojmë në një atmosferë pune në shërbim të shkollës shqipe. Ftesa për këtë takim iu kishte drejtuar mësuesve, anëtarëve të Kryesisë si dhe veprimtarëve tjerë të shkollës shqipe. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe  z. Reshat Jonuzi – ish- kryetar i Lapsh-it për Zvicër.

Takimin  e hapi z. Riza Demaj – kryetar i Kryesisë Kantonale, i cili falënderoi Meritën  për organizimin e takimit, si dhe i njoftoi pjesëmarrësit me zhvillimet e fundit rreth organizimit të manifestimit qendror kantonal në Küttigen, me datën 1 Dhjetor 2017. Falënderoi sponsorët: Adem Osmanin, Merita Pintën dhe Visar Muriqin, të cilët tani më janë sponsorë të përhershëm të manifestimeve të shkollë shqipe dhe në pika të shkurtra foli për kryerjen e pjesës më të madhe të detyrave rreth manifestimit. Me një fjalë pjesa teknike tani është gati, salla, mysafirët, RTK-ja etj. Programin do ta moderoj ish-nxënësja e shkollës shqipe, tani studente në Universitetin e Bernit Shqiprina Saqipi. Shpresojmë që gjatë këtyre ditëve edhe  pjesa artistike pritet të marr formën e dëshiruar, tha ai në mes tjerash.

Po ashtu z. Riza Demaj i njoftoi anëtarët e  Kryesisë  se pandërprerë është në kontakt me prindërit në rritjen e numrit të nxënësve si dhe në përpjekje të vazhdueshme për të rihap pika të reja shkollore.

Mësuesit (Qefsere dhe Vaxhid Sejdiu, Fitnete Balaj, Ilirida Ramadani, Halime Vishi, Elfete Hysenaj- Gashi biseduam rreth përgatitjeve të pikave muzikore, recitimeve dhe angazhimit të nxënësve në programin festiv.  Si zakonisht,  anëtarët e kryesisë  Luljeta Kastrati, Ilmie Luma,  Bajram Mulaj, Shpend Limoni etj, u treguan të gatshëm që edhe në këtë manifestim të ndihmojnë, që  organizimi të jetë në nivelin e duhur.

Edhe në këtë manifestim ashtu si dhe në manifestimet tjera shkollore  jo vetëm hyrja por edhe ushqimet dhe pijet do të jenë falas për të gjithë të pranishmit.

Pastaj  fjalën e mori nikoqirja z. Merita Pinta e cila i falënderoi të gjithë të pranishmit në mbështetjen e manifestimeve shkollore, përgëzoi mësuesit për punën e tyre të shenjtë në shërbim të nxënësve dhe shkollës shqipe. Po ashtu u falënderua edhe mësuesi Hamzë Morina, i cili para disa muajve u pensionua dhe një takim i këtillë ishte në shenjë nderimi të punës së tij shumëvjeçare.

Dhe në fund z. Riza Demaj falënderoi mësuesin Hamzë për punën dhe angazhimin ndër vite, si dhe kërkoi që deri ditën e manifestimit të kryhen detyrat, me qëllim që ditën festive të jemi të gjithë gati. Vlen të përmendet se në këtë manifestim së bashku me nxënësit e shkollës shqipe do të jenë: artisti i popullit Arif Vladi, këngëtari i mirënjohur Nimon Mushkolaj me orkestrën, mysafirë nga Prishtina, Gjermania dhe Italia. E gjithë këtë ngjarje festive do ta shoqëroj edhe ekipi i RTK-së nga Prishtina.

Në fund të takimit fjalën e mori edhe mësuesi Hamzë Morina, i cili falënderoi të pranishmit për respektin dhe nderin që i është bërë punës së tij shumëvjeçare.