Bota

Shkon në 9 numri i viktimave të sulmit në Toronto

Nëntë të vdekur dhe 16 të plagosur. Ky është bilanci tragjik i sulmit që ndodhi në Toronto kur  një person me makinën e tij goditi këmbësorët.

Shoferi ka ikur nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar disa blloqe më tej dhe është dërguar në paraburgim, thanë autoritetet e rendit, shkruajnë mediat botërore,, ndërkohë që ende nuk është bërë identifikimi i motivit të shkaktarit.

Ministri i Sigurisë Publike i Kanadasë, Ralph Goodale, nuk pranoi të komentojë mbi atë që mund të ketë nxitur incidentin. “Hetimet janë në një fazë ku asnjë informacion i mëtejshëm nuk mund të konfirmohet”, tha Goodale në një konferencë për media. “Policia po heton për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur dhe pse ka ndodhur”, shtoi ai.

Policia kërkoi nga qytetarët të shmangin zonën, ndërsa shërbimet e metrosë pranë u pezulluan.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se lutet për të gjithë të prekurit nga “incidenti i tmerrshëm”.

Në Toronto, përkatësisht rreth 30 kilometra nga vendi i incidentit të së hënës, po mbahet një takim i ministrave të Jashtëm të G7-ës, apo grupit të shtatë vendeve më të industrializuara.