Shqipëria

Shoqatat shqiptare ndihmojnë emigrantët në Greqi

Thirrjes së shoqatës u janë përgjigjur me dhjetëra shqiptarë, të cilët kanë kontribuar me veshje, ushqime, batanije, etj., për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve në Mandra Atikis

Katastrofa natyrore që preku rajonin në perëndim të Athinës dhe shkaktoi 19 viktima kanë sjellë sensibilizimin e jo vetëm qytetarëve grekë, por edhe të emigrantëve shqiptarë, të cilët tashmë janë pjesë e pandarë e komunitetit.

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, e cila bashkon të gjitha shoqatat e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj është organizuar këto ditë në mbledhjen e ndihmave për të dëmtuarit dhe prekurit nga përmbytjet, shkruan ‘Scan’.

Thirrjes së shoqatës u janë përgjigjur me dhjetëra shqiptarë, të cilët kanë kontribuar me veshje, ushqime, batanije, etj., për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve në Mandra Atikis, përcjell albinfo.ch.

Pikat e grumbullimit të pakove janë caktuar në disa sheshe dhe qendra të Athinës dhe Korinthos, ndërsa procesi do të vazhdojë edhe ditët në vijim.

Nisma është mirëpritur nga të gjithë anëtarët e shoqatës, por edhe nga familjet e të dëmtuarve, të cilët nuk kanë humbur rastin për t’i falënderuar në rrjetet sociale.