Shqipëria

Shpëtohet ariu i murrmë në një fshat të Elbasanit

Specialistë nga Kosova kanë ndihmuar autoritetet shqiptare që të shpëtonin një ari që kishte rënë në kurth në fshatin Polis të Elbasanit. Katër orë ka zgjatur ndërhyrja për të vënë në gjumë ariun, e më pas për ta mjekuar.

Fatmir Brazhda, i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Qarkun e Elbasanit, ka thënë se ka pasur dëmtime tek të mbjellat e familjarëve dhe ky është rasti i dytë që banorët, të cilët ndihen të rrezikuar nga ariu i murrmë, e vënë në kurth atë.

“Kafshët e egra, duke u detyruar të afrohen në zonat e banuara në kërkim të ushqimit, bëhen rrezik për njerëzit. Me kurthe nuk zgjidhet gjë, thjesht bëjnë dëm edhe më të madh”, shprehet Sajmir Shehu, koordinator për Shqipërinë në projektin “Four Pawn”.