E-Diaspora

Shqipëri-Kanada, shumë shpejt marrëveshja për pensione

Hussen informoi Majkon se Kanadaja po ndërmerr një reformë për të mundësuar lehtësimin e lëvizjes, veçanërisht për studiuesit, studentët dhe sipërmarrësit që kanë lidhje biznesi në Kanada

Shumë shpejt Shqipëria dhe Kanadaja do të nënshkruajnë një marrëveshje për njohjen e pensioneve për vitet e punës që shqiptarët kryejnë në atë shtet, dhe anasjelltas.

Ndërkohë, pritet të lehtësohet lëvizja e studentëve dhe sipërmarrësve në Kanada, përcjell albinfo.ch.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko zhvilloi një takim me ministrin për Refugjatët, Migracionin dhe Shtetësinë në Kanada, Ahmed Hussen.

Dy zyrtarët diskutuan lidhur me marrëveshjen për pensionet, një çështje me shumë interes për shqiptarët në Kanada. Gjatë bisedës u tha se draft marrëveshja është finalizuar dhe të dyja palët janë gati ta nënshkruajnë. Lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve ishte një tjetër temë e prekur në takim. Hussen informoi Majkon se Kanadaja po ndërmerr një reformë për të mundësuar lehtësimin e lëvizjes, veçanërisht për studiuesit, studentët dhe sipërmarrësit që kanë lidhje biznesi në Kanada.

Ministrat diskutuan edhe për çështje të tjera që shqetësojnë komunitetin shqiptar në Kanada. Hussen shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare. Majko e ftoi zyrtarin e lartë kanadez të marrë pjesë në Samitin e dytë të Diasporës që do të zhvillohet në Tiranë.