CH-Ballkani

Shqipëria dhe Maqedonia, refuzojnë pjesëmarrjen në Konferencë për shkak të Kosovës

Bushati ka informuar me një letër homologun e tij boshnjak Igor Crnadak, në të cilën shpreh keqardhjen e tij për mosrespektimin e formatit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ftesën e munguar për Kosovën

Shqipëria dhe Maqedonia nuk do të marrin pjesë në Konferencën e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, që nis sot në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë, që ka për tematikë “Ballkani Perëndimor dhe anëtarësimi në BE: bashkëpunim më i fuqishëm rajonal për një proces më të shpejtë të integrimit evropian”, organizuar me iniciativë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, përcjell albinfo.ch.

Bushati ka informuar me një letër homologun e tij boshnjak Igor Crnadak, në të cilën shpreh keqardhjen e tij për mosrespektimin e formatit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ftesën e munguar për Kosovën, duke bërë me dije në këto kushte mospjesëmarrjen e tij në këtë takim.

Shkaku i Kosovës, edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, ka refuzuar ftesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës për të marrë pjesë në takimin e së premtes, që do të mbahet në Banjallukë.