Shqipëria

Shqipëria, e frekuentuar edhe gjatë vjeshtës

Në muajin nëntor e vizituan Shqipërinë 24 mijë pushues më shumë se në nëntorin e vitit të kaluar, teksa numri i të huajve për qëllime pushime gjatë 11 mujorit shënoi një rritje vjetore me 22%.

Listën vijojnë ta kryesojnë shtetasit nga Kosova, ku vetëm në shtator-nëntor kanë hyrë 30% të totalit. Ka një rikthim të pushuesve nga Kosova, që në muajt e vjeshtës vijnë kryesisht në fundjavë. Numri i turistëve nga Kosova për 11 mujorin paraqitet me rënie, raportojnë mediat shqiptare.

Të dytët që kanë preferuar Shqipërinë në vjeshtë janë grekët, teksa ka një rritje të ndjeshme të maqedonasve dhe malazezëve në shtator-nëntor, përcjell albinfo.ch.

Sipas INSTAT në nëntor 2017 numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri është 256.216 persona. Krahasuar me nëntor 2016, ky numër është rritur me 21,8 %.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në njëmbëdhjete mujorin e 2017 është 4.860.226, duke u rritur me 7,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.