Lajme

Shqipëria me trajner të ri të Kombëtares?

Mediat shkruajnë se trajneri i ri i Kombëtares do të jetë italiani tjetër, Christian Panucci, i cili një kohë të gjatë ka punuar me strategun e famshëm Fabio Capello

Kombëtarja shqiptare e Futbollit duket se ka gjetur zëvendësin e strategut italian Gianni de Biasi, i cili u largua pas disa vitesh nga Shqipëria. Mediat shkruajnë se trajneri i ri i Kombëtares do të jetë italiani, Christian Panucci. Lajmi vjen nga gazeta “Sport Ekspres”, sipas së cilës presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka marrë vendimin dhe brenda pak orësh pritet zyrtarizimi i tij

Deri më tani kanë qenë dy emra që janë përmendur si pasues të Gianni De Biasi-t, Luigi De Canio dhe Clarence Seedorf, të cilët janë fshirë nga lista kuqezi. Sipas mediave shqiptare, i pari (De canio) kishte përvojën në futboll, kurse Seedorf emër.

Ish-trajneri i Livornos dhe Ternanës, Panucci ka punuar me të madhin Fabio Capello në kombëtaren e Rusisë dhe, me siguri, kjo ka ndikuar që Duka t’ia besojë atij “dashurinë më të madhe”, togfjalësh që ka përdorur vetë së fundmi.

Interesant është fakti se kësaj here ka pasur mjaft trajnerë të cilët janë vetofruar për stolin e Shqipërisë, gjë që tregon se, me kualifikimin në Evropianin e Francës, reputacioni i kuqezinjve ka arritur kulmin. Duhet theksuar se dy dekadat e fundit, Shqipërinë e kanë udhëhequr trajner të huaj, nga Gjermani, Kroacia e Italia.