Lajme

Shqipëria nuk rrezikon rikthimin e regjimit të vizave

Nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare, asnjë shqetësim të transmetuar në mënyrë zyrtare nga autoritetet holandeze”, ka deklaruar ambasadorja Sakiqi

Lajmi i dhënë në medie ditë më parë se Holanda mund të kërkojë kthimin e regjimit të vizave për shqiptarët ka ngjallur debat që po vazhdon ende në Tiranë. Megjithatë ambasadorja e Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi, ka sqaruar se një raport i tillë nuk ekziston.

“Kjo gazetë publikoi një artikull me titull `mafia shqiptare po shtrin tentakulat e saj në Amsterdam`. Ajo që më habiti më shumë është se këtë artikull e gjej të përkthyer si raport në medien shqiptare. Në artikull thuhet se ekziston një memo e brendshme e policisë. Gjë që normalisht duhet të ekzistojë”, ka sqaruar ambasadorja Sakiqi për TCH.

Ajo e sheh si të pamundur rikthimin e regjimit të vizave. “Ky rrezik nuk ekziston, është një vendim i shumë vendeve. Nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare, asnjë shqetësim të transmetuar në mënyrë zyrtare nga autoritetet holandeze”, ka deklaruar ambasadorja.