Shqipëria

Shqipëria, vend transit për të shkuar në Gjermani

Disa nga të ardhurit thonë se destinacioni i tyre përfundimtar është Gjermania

Autoritetet shqiptare thonë se muajt e fundit ka patur përpjekje në rritje të refugjatëve dhe emigrantëve për të përdorur territorin e Shqipërisë si rrugë kalimi drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Policia kufitare ka forcuar kontrollet, për të frenuar një valë të mundshme refugjatësh.

Disa nga të ardhurit thonë se destinacioni i tyre përfundimtar është Gjermania.

“Shqipëria është një vend transiti për mua dhe për të tjerët, por nuk është si Serbia apo Maqedonia, të cilat i kanë mbyllur kufijtë. Shqipëria është e vetmja zgjidhje për refugjatët që kalojnë transit”, thotë Guwan Belei, refugjat sirian, raporton “Zëri i Amerikës”.

Ai thotë se erdhi nga Turqia, shkoi në Greqi dhe nga Greqia hyri në Shqipëri. “Nga Shqipëria”, thotë ai. “Me dëshirën e Zotit, dua ta përfundoj rrugën time në Gjermani”, përcjell albinfo.ch.

“U larguam nga Siria, duke kaluar male dhe lumenj dhe shkuam në Turqi. Pastaj, me gomone shkuam në Greqi, përshkuam fusha me baltë, ecëm mes shiut dhe arritëm në Greqi. Prej andej erdhëm këtu duke kaluar nëpër male”, shprehet refugjatja nga Siria, Berivian Alus.

Ajo thotë se arsyeja që u largua ishte se Turqia bombardoi Afrinin dhe se e kishin nxjerrë jashtë vendit kontrabandistët. Sipas saj, nga Siria në Turqi i kishte kushtuar 1.500 euro ndërsa nga Turqia në Greqi 3.500 euro.

Të mërkurën policia në kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi, ndaloi gjashtë shtetas pakistanezë që po përpiqeshin të kalonin kufirin për në Mal të Zi.

Sipas policisë, çdo 24 orë në territorin e Shqipërisë ndalohen mesatarisht 10 shtetas të huaj.