Futbolli Shqiptar në Zvicër

Shqiponjat e Aaraut: për çdo vit nga një ligë më lart

Që nga nisja, në Ligën e Pestë, FC “Eagels Aarau” për çdo vit është ngritur nga një ligë më lart. Ndërsa tash, 4 vjet pas themelimit, luam në ligën më të lartë regjionale

 

“Në fillim ishim një grup i vogël shokësh dhe të afërmish që takoheshim çdo të diele   gjatë kohës së lirë për të luajtur futboll. Pas një gjysmë viti ne e themeluam klubin tonë “FC Eagels Aarau” dhe, në verën e vitit 2012, filluam nga liga e pestë.

Që nga startimi ynë në kampionatin e Ligës së Pestë, ne për çdo vit jemi ngritur nga një ligë më lart. Ndërsa tash, 4 vjet pas themelimit, luajmë në ligën më të lartë regjionale, Ligën e Dytë në Kantonin Aargau. Përveç golave dhe sukseseve në fushën e lojës, për ne ka po kaq rëndësi edhe imazhi ynë i shkëlqyer si klub futbolli në regjion. Raportet pozitive mediale, komplimentet nga ana e fansave të futbollit dhe nga Federata e Futbollit e Aargaut, janë disa shembuj që e dëshmojnë suksesin tonë edhe jashtë fushës së lojës”, thotë Ilir Gashi për albinfo.ch

“Me dëshirën e shumë të rinjve, ne në verën e vitit 2015 e themeluam edhe ekipin e Juniorëve A, në mënyrë që edhe brezi i ri të mund të ushtrojë pasionin e vet në klubin tonë. Krahas ekipit të juniorëve A, në verën e vitit 2016 është ngritur edhe një ekip i tretë aktiv, i cili ka startuar në Ligën e Pestë dhe tash gjendet në vendin e parë, me 6 pikë diferencë nga vendi i dytë”, shton ai.

Suksesi më i madh i shënuar deri tash është ai i pjesëmarrjes në CUP Finale, kur ende nuk i kishim mbushur 4 vite nga themelimi. Kur dihet se ka klube që presin  60 vite për të arritur në këtë finale, ky është një sukses i konsiderueshëm, thotë Gashi. Sukses tjetër i dalluar është loja e FC Eagels kundër FC Klingnau, për titullin e kampionit të skuadrës më të mirë të kantonit Argau për kategorinë e tretë. Këtë lojë, e cila u zhvillua në praninë rekorde të 3200 shikuesve, skuadra jonë e humbi me rezultatin 2 me 1.

Ne ekipin e parë dhe të dytë, të gjithë lojtarët janë shqiptarë, kurse në ekipin e juniorëve kemi edhe 3 lojtarë zviceranë. Duhet thënë se që të gjithë janë djem shumë të sjellshëm dhe të respektuar.

Lidhur me planet aktuale të klubit, Gashi thotë se “këtë vit do të vazhdojmë në Ligën e dytë por në mesin e tri vendeve të para në tabelë, kurse vitin tjetër të hipim një ligë më lart dhe të jemi prapë në finale. Po ashtu synojmë të angazhohemi me të gjitha ekipet që kemi, dhe tu tregojmë të gjithëve se Shqiponjat e Aaraut jan shembull se si sillen shqiptarët në Zvicër: me disiplinë dhe me shumë punë. Klubi është një vend ku takohen të rinjtë shqiptarë, një vend ku ka kulturë dhe rregull, ku flitet shqip dhe ku tregohet historia e jonë.

Kryetar i Klubit është Faton Gashi, zëvendëskryetar: Gentian Shala, trajner: Driton Gashi dhe zëvendës trajner: Ardian Gashi. Drejtor sportiv është Ilir Gashi. Me financat udhëheq Ilir Kryeziu. Trajner i ekipit që bën gara në Ligën e Dytë është Imer Kryeziu, zëvendës trajner: Shpend Ramadani, trajner i portierëve: Ardian Gashi.

Ekipi që garon në Ligën e Pestë: Trajner: Zahir Tahiri, zëvendës trajner Bamir Shala dhe zëvendës trajner: Nikson Nikolbinaj.

FC Eagels Aarau ka gjithsej tri ekipe me 64 lojtarë.

 

Golashënuesi më i dalluar?

Dardan Gashi, kapiten. Ka shënuar mbi 25 gola në sezon.

 

Futbollisti më ri dhe më i vjetër?

Faton Gashi 01.11.1982, kryetar i klubit;

Arbernit Arifaj 20.08.2000.

 


 Të tjera nga Futbolli Shqiptar në Zvicër