Kosova

Shqiptarët e Austrisë: Pak arsye për të festuar 10 vjetorin e pavarësisë

Aktivistë dhe personalitete të profileve të ndryshme, shqiptarë që jetojnë në Austri, flasin për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Kosova feston 10-të vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. 17 shkurti i vitit 2008, mbetet akti më madhështor i gjithë historisë së Kosovës. Kjo datë madhore, shënon kufirin kohor që ndan historinë e re të Kosovës nga e shkuara e saj tragjike. Por si po e gjen Kosovën ky vit jubilar? Sa janë përmbushur pritshmeritë e qytetarëve të saj në Kosovë dhe diasporë përgjatë? Rreth kësaj, albinfo.ch ka biseduar me aktivistë dhe personalitete të profileve të ndryshme, shqiptarë që jetojnë në Austri.

Hazir Mehmeti, mësues, publicist

Mësuesi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Austri dhe publicisti i njohur, Hazir Mehmeti ndonëse jeton dhe vepron në Austri, me shkrimet e tij shpeshherë është munduar të analizojë situatën dhe ngjarjet në Kosovë. Për dhjetë vite Pavarësi të shtetit të Kosovës, përkundër disa të arriturave, siç janë njohja prej 115 shteteve të botës dhe pjesëmarrja aktive me fjalime në Këshillin e Sigurimit në OKB, ai thotë se Kosova, mjerisht ka krijuar një imazh të dobët të një shteti jo funksional dhe të pa perspektivë. “Që nga paslufta, Kosova është  qeverisur dobët, me një klasë politike të korruptuar, e cila e zhbëri pasurinë shoqërorë në emër të privatizimit, krijoi anarki duke lejuar futjen e elementëve fanatikë religjiozë. Shkatërroi arsimin, shëndetësinë, krijoi diplomaci jo efikase duke punësuar familjarë dhe farefis. Krijoi një gjyqësi të dështuar e cila tash e sa vite nuk është në gjendje të zbardhë vrasjet e pasluftës. Nga kjo klasë politike u izoluan qytetarët të cilët të vetmen shpresë e kanë ikjen nga Kosova dhe daljen në perëndim”, thotë mësuesi Hazir Mehmeti i cili shton se një prej pikave më të dëmshme për Kosovën janë bisedimet me Serbinë dhe formimi i Asociacioneve të komunave serbe. “Realizimi praktik i kësaj do të ndajë Kosovën pa fituar asgjë nga Lugina e Preshevës”, thekson ai.

Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, ‘‘Aleksandër Moisiu’’

Kryetari i LSHKSH –së dhe publicisti Anton Marku konsideron se në krahasim me vitet e para luftës për liri dhe kohës së para shpalljes së Pavarësisë, Kosova sot është në një gjendje më të mirë. Në dekadën e fundit sipas tij janë shënuar arritje të cilat nuk mund të mohohen. Megjithatë, duke marrë në konsideratë potencialin dhe kapacitetet me të cilat posedon si dhe pritjet e qytetarëve të saj, ai mendon se ka pasur mundësi që Kosova të jetë në pozitë edhe më të volitshme se ku është sot. Përvjetori i dhjetë i Pavarësisë, Kosovën e gjen me shtetësi të kontestuar nga brenda, pa përmbyllje të subjektivitetit të jashtëm, e sfiduar në përpjekjet e saj për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare, e ballafaquar me procese për të cilat nuk është sa duhet e përgatitur. “Kosova ka ende pak për t’u ofruar qytetarëve të saj, të cilët, kryesisht për shkak të politikanëve vendorë, mbeten më të varfrit dhe më të izoluarit në Evropë, me një perspektivë jo të qartë për sa i përket të ardhmes së tyre kolektive dhe individuale…”, shprehet ai. Anton Marku thotë se është fakt i pamohueshëm se në saje të sakrificave të popullit, Kosova u çlirua nga Serbia, por po ashtu mund të konstatohet se ajo ende nuk është plotësisht e lirë, e pavarur dhe sovrane ashtu siç e ëndërruan gjenerata të tëra. “Për fat të keq, Kosova vazhdon të mbetet një ëndërr e bukur, e cila pret të bëhet, të ndjehet, të preket dhe të (për)jetohet ashtu siç e meriton”, nënvizon ai.

Yll Blakaj – kryetari i Rrjeteve të bizneseve për Austri dhe Evropë

Sipas Yll Blakajt, kryetar i rrjetit të bizneseve në Austri dhe Evropë, dhjetëvjetori i Pavarësisë, Kosovën po e gjen në një udhëkryq. Megjithatë ai mendon se për këto dhjetë vite bazat e shtetit janë vendosur dhe tashmë strukturat shtetërore janë të organizuara. Por, shton ai,“politikanët e Kosovës, kanë lënë anash një faktor shumë të rëndësishëm për Kosovën, diasporën. Ne sot kemi një diasporë të shkolluar që ka vënë bazat e biznesit nëpër krejt shtetet e botës, kurse në Kosovë mund të numërohen në gishta ata që bëjnë biznese të pavarura. Kontributi i diasporës është i padiskutueshëm. Edhe pse bashkatdhetarët tanë kanë hasur në pengesa të ndryshme burokratike të shtetit të Kosovës, ata kanë treguar se sa e duan dhe çfarë bëjnë për shtetin e tyre. Ata, jo vetëm që rregullisht e vizitojnë Kosovën, por janë i vetmi infuzion që mban shpresat për qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Vetëm përmes sistemit bankar llogaritet se nga diaspora në Kosovë hyjnë për çdo vit mbi 700 milion euro, pa llogaritur format tjera që kalon shifrën e mbi 1 miliard euro”, thotë Blakaj.

Kaltrina Durmishi – magjistre e Ekonomisë dhe Shkencave politike në Austri

Jo shumë e kënaqur me situatën në të cilën po e gjen përvjetori i Pavarësisë shtetin e Kosovës është edhe magjistrja e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Vjenë, Kaltrina Durmishi. Politologia Durmishi mendon se demokracia dhe pavarësia e gjeti Kosovën të papërgatitur. Shumë herë ajo ka bindjen se njerëzit kanë menduar se të qenët i lirë të sjell automatikisht punë, bukë dhe jetë më të mirë. “Pavarësia e gjeti Kosovën një vend shumë pak të shkolluar, të pa përgatitur dhe me njerëz që nuk kanë çfarë t’i ofrojnë tregut të punës, pa specializime të mirëfillta, pa perfeksionim të zanateve dhe ndoshta, pa moral të punës” thekson ajo për “albinfi.ch”. Në anën tjetër Kaltrina pohon se në këto dhjetë vite të Pavarësisë në aspektin individual, qytetarët e Kosovës, e në veçanti femrat, janë treguar fenomenale, duke habitur mbarë botën. “Për këto dhjetë vite, kanë dalë emra që na kanë përfaqësuar denjësisht nëpër botë, veçanërisht femrat. Këngë shqiptare që u bënë hite në gjithë botën, këngëtare shqiptare që bënë emër, modele, sportiste, disenatore, blogere, grimere, artiste më shumë talent. Vlen të përmendet xhudistja, Majlinda Kelmendi që fitoi medaljen e artë në lojërat olimpike apo nominimi i filmit “Shok” për çmimin “Oscar”, etj.

Driton Emini- Menaxher në kompaninë “T – Mobile Austria”

Driton Emini, drejtor i departamentit Radio Networks në gjigantin T – Mobile Austria në Vjenë dhe udhëheqës me një ekip prej 40 inxhinierësh e sheh pakëz më ndryshe gjendjen në Kosovë. Nga perspektiva e tij, marrë parasysh rrethanat prej nga ka filluar Kosova, në dhjetë vitet e fundit ka arritur një progres të konsiderueshëm drejt rrugës së shtetformimit. “Gjatë qëndrimit tim në Kosovë dhe përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm në Universitetin e Ferizajt kam takuar profesorë e studentë të motivuar për punë dhe shkencë. Ky potential i njerëzve gjithandej Kosovës duhet të shfrytëzohet dhe atyre t’u hapen rrugët për punë dhe suksese më të mëdha. Nga ana ime profesionale dëshiroj që qeveria dhe institucionet përkatëse të punojnë me përkushtim dhe shpejtësi më të madhe drejt digjitalizimit te vendit. Është një hap shumë i rëndësishëm në zhvillimin e Ekonomisë së një vendi, për të cilin edhe shtetet më tüe zhvilluara po punojnë me një përkushtim shumë të madh”. Më tej ai dëshiron që Kosova të shfrytëzojë resurset njerëzore, një potencial ende të pa zbuluar për Kosovën. “Jam i bindur se secili prej tyre mund të sjellë një eksprience të madhe në sfera të ndryshme, qoftë në fushën e telekomit, mjekësisë apo lëmi tjera”, shtoi ai.

Lulëzim Fejzullahi – asamblist në komunën Ebensee

Një shtet mund të ecë mirë, vetëm atëherë kur atë e udhëheq një politikë e duhur, thotë Lulëzim Fejzullahi, asamblisti shqiptar në komunën Ebensee të Austrisë. “Mendoj se në Kosovë po zhvillohet një politikë e gabuar. Përvjetori jubilar Kosovën po e gjen me një qeverisje të dobët, me raporte jo të mira me ndërkombëtarët, me skandale të përditshme qeveritare, me korrupsion, me një izolim total të qytetarëve dhe me një jetë të pa shpresë për ta. Kjo qasje duhet të ndryshohet nëse shteti i Kosovës dhe qytetarët dëshirojnë të ardhme evropiane”, shprehet ai. Si pjesë e politikës austriake, Fejzullahi thotë se politikani duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo qytetarët në shërbim të politikanëve.

Ganimete Bajraktari – aktiviste dhe humaniste në Austri

Për aktivisten shqiptare në Austri, Ganimete Bajraktari, liria ishte menduar ndryshe, një liri ku qytetari  do të ndihej krenar dhe afrues në përballje me detyrimet dhe të drejtat. Ajo shprehet se republikën (shtetin) e paramendonin si garantues për lirinë dhe krenarinë e qytetarit, si një shtet funksional. “Kjo elitë politikë nuk ka asnjë mundësi për të bërë diçka tjetër. Qasjes së ndërtimit të shtetit ja veshën mentalitetin e mykur ballkanik. Ky mentalitet ka si primar korrupsionin, zhvatjen dhe krimin e organizuar. Kjo elitë përjashtoi nga faktorizimi pjesën më vitale të kombit, diasporën. Në vend që të kursehej buxheti i varfër i Kosovës, solli diplomatë analfabetë të cilët bllokuan njohjet, bllokuan investimet dhe krijuan e po krijojnë imazh të shëmtuar për Kosovën. Kosova me potencialin e diasporës, do të ishte në gjendje të ndërtojë një shtet shumë të fortë dhe funksional në ballkan” shprehet zonja Ganimete Bajraktari.