E-Diaspora

Shqiptarët e Zvicrës, thesari i kombëtares

“Ato emocione që nuk i kisha përjetuar asnjëherë më parë, i përjetova kur vesha fanellën e kombëtares shqiptare”, ka thënë Taulant Xhaka, njëri nga futbollistët e kombëtares shqiptare që luajnë edhe në ligat zvicerane.

Zvicra nuk prodhon futbollistë shqiptarë vetëm për përfaqësuesen e saj. Lojtarët shqiptarë që luajnë në ligat zvicerane aktualisht janë ndër lojtarët kryesorë edhe në kombëtaren shqiptare si dhe në përfaqësuesen e Kosovës. Shqiptarët e Zvicrës pa dyshim se janë një thesar për kombëtaren shqiptare, pasi që pothuajse kontingjenti më i madh futbollistik i kombëtares aktualisht është nga kampionati zviceran. Këta futbollistë me cilësitë e tyre janë të motivuar ta ndihmojnë kombëtaren shqiptare për të marrë pjesë në kampionatin evropian “Euro 2016”. Me një motivim dhe me krenari që bartin fanellat kuq e zi, këta futbollistë mezi po e presin ditën e diel për të shfaqur talentin e tyre në ndeshjen që Shqipëria do ta zhvillojë kundër Armenisë. Ndërkaq ata u bëjnë thirrje edhe tifozëve shqiptarë që të mbushin stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan.

“Mezi po e pres 29 marsin, ditën kur do t’i shoh prapë tifozët më të bukur në botë”, shkruan Taulant Xhaka në profilin e tij. “Ato emocione që nuk i kisha përjetuar asnjëherë më parë, i përjetova kur vesha fanellën e kombëtares shqiptare. Këta tifozë meritojnë të shpërblehen. Besoj që shpërblimi apo dhurata më e madhe është kur ne fitojmë për të gjithë shqiptarët”, ka thënë Xhaka, mesfushor i kombëtares dhe i ekipit të “Baselit”.
Thirrje për tifozët që të jenë në numër sa më të madh në këtë ndeshje ka bërë edhe mesfushori tjetër që luan në Zvicër, Amir Abrashi.
“Tifozët kuq e zi jeni më të mirët në botë! Të dielën i duam të gjithë shqiptarët në Elbasan!”, ka thënë Abrashi, mesfushori i “Grasshopper”-it të Cyrihut.
E, në anën tjetër, futbollisti Emir Lenjani, i cili është rritur në Zvicër dhe deri para se të kalonte në Rennes të Francës ka luajtur në ligat zvicerane, është i lumtur që ka të veshur fanellën kuq e zi.

“Kjo fanellë ka vlerë”, është shprehur numri 3 i kombëtares shqiptare.

Ndërkohë dy shqiptarët e tjerë të “Baselit”, Arlind Ajeti dhe Naser Aliji, edhe pse të ftuar nga trajneri De Biasi, ata nuk mund të inkuadrohen në këtë ndeshje për shkak të disa procedurave nga FIFA. Megjithatë, të dy shpresojnë që t’iu jepet rasti për ndeshjen e radhës. E për këtë ndihet krenar Naser Aliji, i cili është shqiptari i parë nga Maqedonia që do të veshë fanellën kuq e zi.  “Jam krenar që më erdhi shansi të vesh fanellën kuq e zi dhe jam i pari shqiptar nga Maqedonia që luaj për kombëtaren shqiptare”, ka thënë 21-vjeçari. “Unë do të jap maksimumin tim dhe pres që trajneri të ma japë rastin për të luajtur”, ka thënë ai para se vendimi nga UEFA t’ia ndalojë të debutojë të dielën.