Sport

Shqiptarët ‘frikësojnë’ Zvicrën

Përfaqësuesja e Zvicrës do të ketë dy ndeshje vendimtare përballë Irlandës së Veriut, megjithatë, ka shumë dyshime rreth formacionet, shkruan ‘Blick’.

Në dyshim për ndeshjen e parë janë tre futbollistët shqiptarë, Valon Behrami, Admir Mehmedi dhe Blerim Xhemaili, të cilët kanë probleme fizike, përcjell albinfo.ch.

Në dyshim të madh është Behrami, i cili është i lënduar në kofshë dhe për futbollistin e Udineses janë gati tre alternativa: Remo Freuler, Denis Zakaria dhe Gelson Fernandes, që të tre gjithsesi jo me përvojën dhe cilësitë e Behramit.

Në dyshim është Admir Mehmedi. Ai nuk luan prej javësh me Bayer Leverkusenin dhe pavarësisht grumbullimit, mund ta shohë ndeshjen nga banka rezervë. Në rolin e tij pritet të luajë Steven Zuber, që bindi në suksesin 5:2 ndaj Hungarisë në tetor.

Gjithashtu në dyshim është edhe Blerim Xhemaili. Futbollisti shqiptar nga Tetova ka nisur pushimet e dimrit te skuadra e tij Montreal, e pavarësisht se është stërvitur te Bologna, gjendja e tij fizike lë për të dëshiruar.

Ndërkohë, nga fillimi pritet të luajnë Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.