Integrimi

Shqiptarët, në mes të “lehtësisë ballkanike” dhe “seriozitetit zviceran”

Cila është e ardhmja e shqiptarëve të Zvicrës? Kjo pyetje është shtruar në tribunën e mbajtur të enjten më 26 mars, organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Cyrihut

Ndar

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

Shqiptarët në Zvicër ose siç thuhet me termin politikisht korrekt “zviceranët me prejardhje shqiptare” po bëhen faktor gjithnjë më me peshë dhe vështirë i anashkalueshëm nga politika dhe opinioni i këtushëm. Për të mirë a për të keq, “personat me prejardhje shqiptare” po merren gjithnjë më seriozisht dhe, ndonëse me vështirësi, po bëhen pjesë e debatit shoqëror dhe të skenës politike të Zvicrës.

Kjo është pak a shumë e tashmja e shqiptarëve të Zvicrës. Por cila është e ardhmja e tyre? Kjo pyetje është shtruar në tribunën e mbajtur të enjten më 26 mars, organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Cyrihut “Studenti”.

Bazuar në inputet e Enver Robellit, publicist i njohur dhe redaktor i gazetës “Tages Anzeiger”, Osman Osmanit, përgjegjës për migracion në Unia dhe Qëndresa Sadriut, këshilltare e SP-së në komunën Opfikon të Cyrihut, para një numri të madh të studentëve është zhvilluar një debat interesant në mes të pesë politikanëve të rinj të partive të ndryshme zvicerane. Blerim Bunjaku kandidat i EVP-së për zgjedhjet kantonale dhe nacionale, Elena Marti, nga të rinjtë e Partisë së Gjelbër (Junge Grüne), Egzon Zhuta (të rinjtë e FDP), Rafael Mörgeli (Juso, të rinjtë e SP-së) dhe Rafael Seeh (të rinjtë e SVP-së) kanë kryqëzuar mendimet e tyre, kryesisht lidhur me shqiptarët dhe të huajt në shoqërinë zvicerane.

Ndarje nga “Atdheu i idealizuar”

Enver Robelli në prezantimin e tij ka folur për nevojën që kanë shqiptarët në Zvicër për “ndarjen nga një atdhe i idealizuar”, ashtu si na e kanë krijuar etërit të cilët vinin në Zvicër për të punuar 9 muaj (sezonierë) dhe pastaj `zhdukeshin`.

Ai pastaj i është referuar edhe temës aktuale rreth “maçove nga Ballkani”, e cila ditëve të fundit ka zënë faqet e gazetave zvicerane. “Nuk është e vërtetë se ky problem është i pranishëm në masë të madhe. E qartë, ka probleme në disa shkolla, ku djemtë duhet të mësojnë më shumë se si të sillen sidomos ndaj nxënëseve. Ndërsa assesi nuk duhet të lejohet krijimi i shoqërive paralele dhe injorimi i vlerave perëndimore gjegjësisht lirive që ato sigurojnë”, tha ai.

“Ne sigurisht bartim me vete vlera nga atdheu. Por ne nuk mund të jetojmë këtu me përrallat me të cilat jemi mësuar nga historia shqiptare. Fshati apo qyteti ynë që e kemi sjellë këtu në kujtime nuk është një eksponat që vendoset në. Ne, njerëzit me origjinë nga Ballkani, mund të marrim mjaft gjëra dhe t`i dërgojmë në Ballkan si modele. Por nuk mund ta dërgojmë atje shoqërinë zvicerane, as modelin e saj të plotë.

Ai me këtë rast ka përmendur si anekdotë atë që e ka dëgjuar nga një qytetar boshnjak në Sarajevë lidhur me dallimet në mes të ballkanasve dhe zviceranëve: “Ju, zviceranët e merrni jetën tmerrësisht seriozisht ndërsa ne, ballkanasit, vetëm seriozisht”.

Ndërsa Osman Osmani, i njohur si sekretar për migracion në sindikatën Unia dhe aktivist i vjetër në skenën politike e shoqërore të shqiptarëve të Zvicrës, përmes biografisë së tij prej mërgimtari ka treguar evoluimin e mërgatës shqiptare në Zvicër.

Evoluim i diasporës

“Në vitin 1983 kur kam ardhur këtu, puna prej kamerieri konsiderohej si goxha një avancim në krahasim me punët tjera që i kryenin bashkatdhetarët tanë”, ka thënë Osmani, duke vënë shenjën e krahasimit me kohën e sotme kur në një auditorium fakulteti të Cyrihut mblidhen përnjëherë mbi 100 studentë shqiptarë.

Ai ka folur për përvojën e tij si animator  i të rinjve në Cyrih, ku ka fituar përvoja të çmuara. “Këtu kam mësuar se sa shumë identitete kanë të rinjtë me prejardhje të huaj dhe se ata ia dalin me to më mirë se ne, të rriturit”, ka thënë ai.

Osmani ka thënë se të rinjtë me prejardhje të huaj duhet të angazhohen sa më shumë jo vetëm në jetën politike por edhe nëpër shoqata etj. nëse duan të përfitojnë nga të drejtat që i kanë në dispozicion.

Ndërsa Qëndresa Sadriu, këshilltare komunale në Opfikon ka theksuar se bën pjesë në brezin e sekondove por në punën e saj si këshilltare ajo përfaqëson të gjithë që e kanë zgjedhur dhe jo veëm shqiptarët apo vetëm të huajt.

Moderatorja e tribunës, Mimoza Sejdiu i ka nxitur panelistët të marrin qëndrim mbi temat më të mprehta në opinionin zviceran që lidhen me shqiptarët dhe të huajt tjerë. Sa i njohin ata bashkëqytetarët e tyre me prejardhje shqiptare, si e shohin ata shqiptarin e integruar në Zvicër, a kanë partitë respektive programe për këtë komunitet dhe ku i shohin ata shqiptarët pas 20 vitesh, ishin disa nga pyetjet që i ka parashtruar moderatorja.

Pas 20 vitesh? Shqiptari në “Bundesrat”

Për politikanin e ri shqiptar, Blerim Bunjaku ishte e qartë: Shqiptarët janë të integruar mirë ndërsa për qëndrimin e partisë së tij ndaj komunitetit shqiptar flet vetë kandidimi që i ka bërë atij për dy palë zgjedhjet e sivjetme (kantonale dhe nacionale). Po ashtu këtë realitet e vulos fakti se Bunjaku është në kryesinë e kësaj partie dhe është emëruar nga ajo si përgjegjës i shkollave të një regjioni të Winterthurit. Ndërsa si program specifik të integrimit ai ka përmendur aplikacionin kompjuterik që ka realizuar ai personalisht për natyralizimin e të huajve. Pyetjes se si i sheh shqiptarët e Zvicrës pas 20 viteve ai i është përgjigjur me dy fjalë: “i shoh në Bundesrat” (Qeverinë Federale).

Për dhe kundër “dorës së shtetit” 

Ndërsa Seeh i SVP-së ka kundërshtuar cilësimet e dëgjuara këtu dhe gjetiu për partinë e tij si ksenofobike etj. Ai ka këmbëngulur se SVP është parti që proklamon vlerat e Zvicrës dhe sipas tij, kanë të drejta të barabarta para ligjit si ata që janë të lindur si zviceranë ashtu dhe ata që janë natyralizuar më vonë. Ndërsa lidhur me qëndrimin e përfaqësuesve të SP-së, të Gjelbërve dhe EVP-së në debat që të drejtë vote të kenë edhe të huajt, Seeh ka thënë se ata që duan të votojnë mund të kërkojnë shtetësinë zvicerane, të natyralizohen. Ngjashëm ka arsyetuar në këtë pikë edhe Egzon Zhuta nga FDP-ja (Partia Liberale). Ai ke vënë theksin në vlerat e lirisë së individit, që i proklamon partia e tij dhe në atë se konform kësaj, FDP synon reduktimin në maksimum të “dorës së shtetit” në të gjitha fushat e jetës, prandaj edhe sa i përket integrimit. Në këtë kontekst, Zhuta ka pranuar se partia që përfaqëson ai, nuk ka programe të veçanta për të huajt dhe as për shqiptarët.

Elena Marti, nga (të Gjelbrit) dhe Rafael Mörgeli (Juso) kanë theksuar se shqiptarët janë plotësisht të integruar në Zvicër. Por, sipas tyre, shteti duhet t`u japë më shumë shanse të huajve të cilët shpesh janë të diskriminuar për arsye banale, siç janë emrat “e papërshtatshëm” të tyre. Në këtë aspekt ata kanë favorizuar kandidimin anonim për punë ose zanat (pa emra) për të evituar mundësinë e diskriminimit të të huajve nga shkaku i emrit. Këtë praktikë e ka kundërshtuar Seeh i SVP-së, si një improvizim që sipas tij, nuk e zgjidh problemin.

Debati në panelin e të cilit kanë marrë pjesë përfaqësuesit e pothuaj të gjitha partive të mëdha zvicerane ka rrjedhur i qetë dhe pa tone konfliktuoze. Megjithatë rivaliteti në mes të shumicës së panelistëve nga njëra anë dhe përfaqësuesit të SVP-së ka siguruar sadopak “action” në këtë debat.