Gjuha

Shqiptarët në Suedi ankohen për mungesë librash shqip

Statistikat e shtetit suedez tregojnë se në Suedi jetojnë rreth 50 deri në 55 mijë shqiptarë. Mësimin e kanë ndjekur 5 273 nxënës ose 61.9 për qind në vitin shkollor 2015/2016. Krahasuar me vitet e mëparshme ka rritje për 1 për qind

Në qytetin Eslov të Suedisë jetojnë rreth 200 familje shqiptare. Të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë shtet kanë të drejtën e gjuhës së vet duke përfshirë edhe shqiptarët. Ndërkaq deri para dy  vjetësh në shkollat e këtij qyteti shqiptarët kanë qenë të parët për nga numri, mirëpo me migrimin e sirianëve nëpër shtete të ndryshme duke përfshirë Suedinë, tani prin gjuha arabe, shkruan rtklive.com.

Gjuha shqipe në këtë qytet mësohet nga parashkollorët e deri në fund të shkollës së mesme. Ndërsa janë 3 mësues: Rashit Berisha dhe Afijete Oruqi, të cilët janë me normë të plotë, ndërsa mësuesi i tretë është me gjysmë norme, i cili u ndihmon nxënësve në kuptimin e gjuhës suedeze dhe lëndëve tjera që t`i përvetësojnë ato.

Numri i nxënësve shqiptarë në Eslov që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe është 150 dhe kanë të gjitha të drejtat e barabarta me nxënësit suedez. Siç thotë mësuesi Rashit Berisha, Suedia njihet si kampione e respektimit të të drejtave të njeriut.

Mësuesi Berisha, jep mësim në 8 shkolla të qytetit Eslov të Suedisë dhe fillon nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Ai thotë se  në këto shkolla ka klasë me 1 deri në 7 nxënës dhe se mësuesi lëviz nja njëra shkollë në tjetrën.

Në një ditë mësuesi shkon në dy apo tri shkolla, ndërsa sa i përket vështirësive në mësimin e gjuhës shqipe nga ana e nxënësve atëherë puna duhet të bëhet më tepër me klasët e ulëta, ndërkaq me të rriturit është pak më lehtë.

Një gjë interesante sipas Berishës është se testi kombëtar në Suedi mbahet pa përfunduar mësimi dhe është si test normal, nuk ka ndonjë jehonë të madhe. Po ashtu çdo shkollë ka konsulentin e vet që ndihmon nxënësit në shkallët e mëtutjeshme të vazhdimit të shkollës.

Nëse një nxënës di gjuhën suedeze, matematikën dhe gjuhën angleze, pastaj duke përfshirë edhe lëndët tjera, ka prioritet të regjistrohet mëtutje. Sipas mësuesit Rashit Berisha interesimi i shqiptarëve për studime është shumë i madh, madje shumë nga ta kanë përfunduar edhe magjistraturën.

Në këtë vend mbahen edhe aktivitete të lira siç është kuizi i diturisë çdo vit me rastin e ditës së mësuesit.

Ajo me çfarë ballafaqohet ky komunitet këtu është mungesa e librave në gjuhën shqipe. Ministria e Diasporës ka siguruar disa, por që nuk mjaftojnë. Ekziston edhe Qendra Kulturore e Kosovës në Suedi, me seli në Malmo, ku organizohen aktivitete të ndryshme kulturore nga ana e shqiptarëve.

Më herët janë organizuar aktivitete të ndryshme kulturore nga ana e shqiptarëve, por tash jo shumë, vetëm për festa të mëdha siç është 28 nëntori.

Po ashtu janë organizuar edhe vizita të mësuesve dhe nxënësve nga Suedia në Kosovë dhe anasjelltas, mirëpo tash këto bëhen më rrallë, sepse nuk ka financim më nga ana e komunës suedeze.