CH-Ballkani

Shqiptarët, në vendin e parë për numrin e emigrantëve të kthyer

Në krye të listës gjendet Shqipëria me thuajse 18 mijë të kthyer, ndjekur nga Iraku me 12.7 mijë të kthyer, Afganistani me 7.1 mijë, Serbia me 6.9 mijë, Kosova me 5.8 mijë, Etiopia me 5.6 mijë, Maqedonia me 4.9 mijë, Irani me 4.4 mijë, Ukraina me 3.4 mijë dhe Rusia me 2 mijë

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) ka bërë të ditur se Shqipëria është vendi që ka përfituar më tepër nga programi i saj i kthimit dhe riintegrimit në atdhe, për vitin 2016.

Sipas të dhënave, 17 976 shqiptarë janë kthyer në vend, duke kryesuar listën që ndiqet nga irakianët, afganët, serbët, shqiptarët e Kosovës etj, shkruan monitor.

Mesatarisht, ndërmjet viteve 2005 dhe 2014, IOM ka ndihmuar 34,000 migrantë në vit. Në linjë me rritjen e vëllimit të migrimit në vitet e fundit, numri i kthimeve është rritur dukshëm, përcjell albinfo.ch.

Në vitin 2016, iu dha mbështetje 98,403 migrantëve që ktheheshin nga 110 vende pritëse ose tranzit në 161 vende ose territore të origjinës.

Kjo përbën një rritje prej 41 për qind krahasuar me 2015 (ku ishin 69,540). Në krye të listës gjendet Shqipëria me thuajse 18 mijë të kthyer, ndjekur nga Iraku me 12.7 mijë të kthyer, Afganistani me 7.1 mijë, Serbia me 6.9 mijë, Kosova me 5.8 mijë, Etiopia me 5.6 mijë, Maqedonia me 4.9 mijë, Irani me 4.4 mijë, Ukraina me 3.4 mijë dhe Rusia me 2 mijë.

Sipas të dhënave të tabelës së ofruar nga raporti i IOM, në vitin 2016, shumica e përfituesve të këtij programi (83%) u kthye nga shtetet evropiane si Zvicra, Gjermania, Greqia, Austria, Holandë dhe Belgjikë.

Këto kthime janë rritur nga 55,851 në vitin 2015 në 81.671 në vitin 2016.