Tematike

Shqiptarët në Zvicër e nënçmojnë rrezikun e infektimit me AIDS!

Zyra Federale për Shëndetësi, si moto të fushatës për mbrojtje nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, ka vënë sloganin për “Seks të sigurt edhe me ndërrimin e partnerëve”. Për të mësuar se sa kanë njohuri shqiptarët rreth kësaj tematike, albinfo.ch ka intervistuar një mjek specialist dhe dy të rinj

Dr. med. Xhevat Hasani është mjek i specializuar në imunologji dhe alegologji, ish-ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Nga viti 1995 ai ka ardhur në Zvicër si refugjat politik ku vazhdon të jetojë edhe sot. Ka punuar dhjetë vite në një këshillimore psikologjike në Cyrih. Gjatë këtyre viteve dr. Xhevati ka mbajtur dhjetëra ligjërata lidhur me masat mbrojtëse për parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, me theks të veçantë lidhur masat mbrojtëse ndaj AIDS-it.

Me bagazhin e tij profesional dhe përvojën jetësore, Dr. Xhevat Hasani është personi adekuat që mund të flasë lidhur me qasjen që kanë shqiptarët në Zvicër në raport me AIDS-in dhe sëmundjet tjera të transmetueshme seksualisht.

I pyetur nga albinfo.ch rreth njohurive për ekzistimin e të prekurve nga AIDS-i në mesin e shqiptarëve të Zvicrës, ai përgjigjet se “të dhënat statistikore për numrin e të infektuarve me AIDS i zotëron vetëm Ministria e Shëndetësisë (BAG-OFSP). Unë nuk kam njohuri nëse në mesin e të infektuarve me AIDS në Zvicër ka edhe ndonjë shqiptar, por mendja ma thotë se ka gjithsesi”, thotë dr. Xhevati.

 

bag_plakat_mann_470x224_f12_d_4

Ndërkaq, një hulumtim në bazën e të dhënave të BAG-IFSP i bërë nga albinfo.ch tregon se statistika në baza etnike nuk udhëhiqen. Aty ka të dhëna mbi përhapjen e kësaj sëmundjeje sipas kantoneve, regjioneve, në raportin fshat-qytet etj. Ajo që lihet të kuptohet është se në qendra të mëdha qytetare, si Cyrihu, Bazeli, Gjeneva etj. numri i të infektuarve nga kjo sëmundje është shumëfish më i lartë se në kantonet rurale. Në disa prej këtyre si në Apenzell-Innerhoden dhe Appenzell-Ausserhoden praktikisht nuk ka asnjë të infektuar të tillë. Po ashtu, në gjithë Zvicrën gjatë dhjetë viteve të fundit ka një rënie të ndjeshme të numrit të të prekurve nga ky virus, mësohet nga statistikat e BAG.

Dr. Xhevat Hasani: Shqiptarët e minimizojnë rrezikun nga AIDS-i

Por, si i qasen kësaj sëmundjeje shqiptarët në Zvicër. Çfarë i dallon ata në krahasim me vendësit në këtë drejtim dhe sa janë të sensibilizuar ata rreth AIDS-it?

“Gjenerata e parë e shqiptarëve në Zvicër (40 e më shumë vjeçarë) kanë shumë pak njohuri dhe janë shumë pak të sensibilizuar lidhur me rreziqet nga AIDS; Por edhe gjenerata e dytë (sekondot 25 deri 40 vjeçarë, edhe pse pak a shumë kanë njohuri për AIDS-in, megjithatë kanë nevojë të sensibilizohen në këtë drejtim. Ndërkaq pjesëtarët e gjeneratës së tretë (mosha deri në 20-25 vjeçare) janë të sensibilizuar lidhur me AIDS-in njësoj si vendësit”, thotë dr. Hasani për albinfo.ch.

Mirëpo ai megjithatë është i mendimit se edhe ky brez i ri ka nevojë për më shumë seriozitet në përqasje me rrezikun nga infektimi me HIV.

xhevat-hasani-dr

 

“Mendoj se të rinjtë shqiptarë në Zvicër (gjenerata e tretë), ndonëse pak a shumë janë njësoj si moshatarët e tyre vendës të sensibilizuar lidhur me AIDS, megjithatë kanë nevojë që rreziqet nga AIDS t`i marrin më seriozisht. Është mendim i im ndoshta subjektiv, por kam përshtypjen se të rinjtë shqiptarë jo vetëm rreziqet nga AIDS, por edhe rreziqet tjera i marrin më pak seriozisht se të rinjtë vendës. Dhe mendoj se kjo lidhet me prindërit e tyre, të cilët kanë bartur te fëmijët frymën e nënçmimit të rreziqeve, për shkak të nivelit të tyre të ulët arsimor. Mendoj se të rinjtë shqiptarë janë më pak të kujdesshëm (më pak i përdorin masat preventive-prezervativët) me rastin e ndërrimit të partnere/ëve”, shprehet dr. Xhevat Hasani.

Rëndësia e fushatave informative

Masat parandaluese për tu mbrojtur nga AIDS dhe sëmundjet venerike në radhë të parë janë fushatat informative në mediat e shkruara dhe ato audiovizuale, mbajtja e ligjëratave lidhur me  këto sëmundje me grupe të shqiptarëve, botimi i revistave e broshurave për këto sëmundje në gjuhën amtare etj. Natyrisht se për të bërë “seks të sigurt edhe përkundër ndërrimit të partnerëve” ka mbetur edhe sot si masë themelore përdorimi i prezervativit pastaj kujdesi që të mos lëndohesh me gjilpëra të kontaminuara me shkaktarët e këtyre sëmundjeve etj. përfundon dr. Xhevat Hasani.

Albinfo.ch ka provuar të flasë me të rinjtë e brezit të dytë e të tretë të komunitetit të këtushëm shqiptar rreth sensibilizimit mbi rreziqet nga AIDS-i. Vihet re në përgjithësi një hezitim i madh për të folur hapur lidhur me këtë temë. Megjithatë, dy të rinj kanë pranuar të flasin, duke u prezantuar me iniciale.

M.P.: “Kurrë nuk konsultohem me partneren lidhur me rrezikun

Personi i parë është M.P, i punësuar, 20 vjeçar nga Kantoni Solothurn me prejardhje nga Kosova. “Duke qenë se kohëve të fundit kam ndërruar disa partnere, me disa prej të cilave kam pasur edhe marrëdhënie seksuale, mbrojtja nga rreziqet që shkaktohen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, ka qene prioritet për mua. Por, pasi që kam ndjekur shumë fushata vetëdijesuese për sëmundjet seksuale, po ashtu kam mësuar edhe për metodat e duhura për tu mbrojtur nga ndonjë infektim i mundshëm, thotë M.P. për albinfo.ch.

Sa i përket konsultimit paraprak të partneres për ndonjë sëmundje të tillë, pothuajse, këtë gjë nuk e kam bërë pothuajse asnjëherë, pasi që përdorimi i prezervativit ka qene një lloj mbrojtjeje edhe nga sëmundjet po edhe nga ndonjë shtatzëni e padëshiruar.

Deri më sot nuk më ka ndodhur që të heq dorë nga partnerja për shkak të ndonjë sëmundjeje të tille, pasi qe edhe nuk kam pasur rast që partnerja të ketë qenë e infektuar”, përfundon M.P.

 

bag_plakat_frau_470x224_f12_d_1

A.H.: “Nuk i kam marrë masat e duhura për mbrojtje”

Personi i dyte është A.H. në vitin e parë të zanatit. Ai është 17 vjeçar, po ashtu nga Kantoni Solothurn dhe prindërit e tij vijnë nga Maqedonia. Sipas asaj që thotë, ky i ri ka pasur shume partnere. Fatkeqësisht ai nuk ka qenë ndonjëherë i vetëdijshëm për rrezikun nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme si AIDS e te tjera. Por ai as që e ka pyetur ndonjëherë partneren e tij rreth ndonjë sëmundje të transmetueshme seksuale. Edhe pse shprehet se ky është një gabim që e bëjnë shumë të rinj, ai megjithatë asnjëherë nuk i ka marrë masat e duhura për mbrojtje nga ndonjë sëmundje e tillë. Po ashtu sëmundja e mundshme seksuale e ndonjë partnereje nuk ka qene arsyeja e ndarjes nga prej tyre, thotë A.H.

 

Si bartet AIDS-i

Sot në spitalet e Zvicrës, gjaku që u jepet të sëmurëve paraprakisht testohet që të mos jetë i infektuar me shkaktarët e këtyre sëmundjeve. AIDS nuk transmetohet nëpërmjet frymëmarrjes, rrobave, mbathjeve, apo enëve të përdorura nga të infektuarit me këtë sëmundje. AIDS bartet nga njëri te tjetri vetëm me seks pa mbrojtje, nëpërmjet të gjakut ne frytin e nënave të infektuara, nëpërmjet gjilpërave të kontaminuara, nga nënat e infektuara te foshnjat e tyre nëpërmjet qumështit -thithjes.

Fushata “Seks të sigurt edhe me ndërrimin e partnerëve”

Edhe gjatë vitit 2015 është shtuar numri i infeksioneve me sëmundje të transmetueshme seksualisht. 23 për qind  më tepër raste të infektimit me triper (Gonorea), 7% më tepër me sifilis dhe 5% më shumë raste me Chlamydien. Ndërkohë numri i rasteve me HIV mbetet stabil. Trendi i përmendur ka shtyrë Zyrën Federale për Shëndetësi (BAG-OFSP) që në fushatën e saj më të re të bëjë tematizimin e ndërrimit të partnerëve. “Seks të sigurt edhe me ndërrimin e partnerëve”. Me këtë slogan, BAG-OFSP synon të bëjë sensibilizimin e opinionit lidhur me rrezikun nga sëmundjet e përmendura, për çfarë dhe ka lansuar fushatën e re “Love Live-Kampagne”. Fushata e re ka parasysh se ndërrimi i shtuar i partnerëve seksualë e shton edhe rrezikun nga infeksioni. Përdorimi i prezervativit e ul dukshëm këtë rrezik dhe e pengon bartjen e HIV. Rrjedhimisht, të gjithë ata që i përmbahen në mënyrë të përpiktë motos “Partnerët ndërrohen. Seksi i sigurt mbetet”, do të jenë të mbrojtur. Prandaj BAG-OFSP apelon që t`u përmbahemi rregullave për seks të sigurt: marrëdhënia e shpejtë seksuale të bëhet gjithnjë me prezervativ, të mos merret në gojë sperma as gjaku, në rast simptomash të gripit që paraqiten pas seksit të pambrojtur, kruarjes, djegies ose ankesave tjera në zonën intime të trupit, rekomandohet paraqitja e menjëhershme te mjeku.  Bartës të fushatës janë BAG-OFSP, Aids-Hilfe Schweit/Aide Suisse contre le Sida dhe “Sexuelle Gesundheit Schweiz-Santé Sexuelle Suisse.