Gjuha

Shtatë krijues shpalosin para publikut zviceran Shqipërinë e tyre poetike

Në organizim të Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër, u bë prezantimi i numrit më të ri të revistës "Orte" e cila ka publikuar një panoramë me poezi të përkthyera gjermanisht të 7 poetëve nga Shqipëria

“E për-7-shme”. Ky ishte titulli që mbante një revistë letrare e botuar për një kohë të shkurtë në fillim të viteve `90 në Tiranë. Dhe duket pokështu “E për-7-shme” mbante emërtimin edhe qerthulli letrar që 7 poetë të rinj e kishin krijuar rreth kësaj reviste. Ata i kishin vënë vetes detyrën ambicioze të tejkalimit të barrës së realizmit socialist dhe pushtimit të hapësirave të reja krijuese, në përshtatje me kohën që nuk impononte më kufizime dhe izolim.

Rreth këtij grupimi ose qerthulli poetësh fokusohet revista letrare zvicerane “Orte” e cila në numrin e saj më të ri i kushtohet (kryesisht) poezisë së re të Shqipërisë.

Ditë më parë në Bernë, në organizim të Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër, u bë prezantimi i këtij numri të revistës së përmendur, gjegjësisht i poezive shqiptare të publikuara në të.

I pranishëm në këtë aktivitet, fjalën e mori edhe ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni, i cili përgëzoi revistën “Orte” për prezantimin e suksesshëm të poezisë shqiptare në arealin kulturor gjerman. Ai ka folur për rolin e letërsisë gjegjësisht poezisë në njohjen dhe afrimin mes popujve. Ndërsa në rastin konkret, në këtë pikë meritë e veçantë i takon përkthyesit të shquar letrar gjerman, Hans-Joachim Lanksch, i cili ka përkthyer në gjermanishte poezite e shtatë poetëve të publikuar në këtë revistë, ka thënë veç tjerash z. Gjoni.

Në këtë numër të “Orte”, krahas poezive të 7 autorëve të përkthyer, janë përfshirë edhe disa artikuj që bëjnë fjalë për letërsinë shqiptare, abientin kulturor e shoqëror shqiptar në përgjithësi. Këtu hyjnë: parathënia me titullin “Një botë magjepsëse e poezisë” e redaktorit të revistës, Cyril Stieger, i njohur si ish korrespondent shumëvkeçar i gazetës NZZ në Ballkan; një bisedë me përkthyesin e njohur nga shqipja në gjermanishte, Hans-Joachim Lanksch; një bashkëbisedim me disa nga poetët e prezantuar; një vështrim i Rudian Zekthit lidhur me revistën “E për-7-shme” dhe një vështrim kritik i Cyril Stieger lidhur me Ismail Kadarenë që ai e titullon “Ismail Kadare – riinterpretimi i sikletshëm i rolit të tij në diktaturë”. Disa konstatime të këtij të fundit janë kritikuar nga referuesi në këtë takim letrar, Shaip Beqiri.

Beqiri në vështrimin e tij rreth panoramës së poezive të botuara në “Orte” ka çmuar lart atë si ndërmarrje me vlerë. “…është një gjë me vlerë paraqitja e këtyre shtatë autorëve të ndryshëm, sado që ka një përqendrim të konceptuar te hapësira shqiptare ndërmjet Drinit e Shkumbinit, me krijimtari të kohës pasdiktatoriale në Shqipëri, pra duke vënë theksin atje ku flitet gegërisht!”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, ai ka pasur një qasje kritike lidhur me pretendimet e autorëve të kësaj panorame, pretendime këto që, sipas tij, shkojnë edhe përtej letërsisë. Beqiri me këtë rast përflet tri dobësi që sipas tij përvijohen në shkrimet e autorëve që shërbejnë si prezantim i poezive të publikuara në ketë revistë: “Identifikimi problematik i shqiptarëve me Perandorinë Osmane (sikur ata ta kishin krijuar dhe mbajtur atë), mbitheksimi i islamizmit dhe orientalizmit te shqiptarët, edhe në kontekst të letërsisë, dhe së fundi qasja ekzotike ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve,  i bëjnë hije këtij prezantimi”, është shprehur ai.

Redaktori i gazetës “Tages Anzeiger”, Enver Robelli ka bërë me këtë rast një vështrim në lidhje me përcaktimin e revistës “Orte” për të prezantuar poezinë shqiptare. Ai shpreh entuziazmin për faktin se një revistë zvicerane ka vendosur t`i japë hapësirë poezisë shqiptare. Sepse “ne këtu e njohim Shaqirin e Behramin nga fusha e gjelbër por kush di gjë në Zvicër për poezinë shqiptare?” pyet Robelli.

Ai e sheh pozitiv edhe përcaktimin e përpiluesve të kësaj panorame për tu marrë vetëm me poetë të cilët në kohën e diktaturës kanë vuajtur burgje ose janë censuruar. Ndërsa mungojnë “princërit e etabluar dhe të dyshimtë” të poezisë, të cilët në kohë të diktaturës donin ta mësonin popullin se si përpunohet çeliku”.

Takimin letrar e ka drejtuar Brikela Andrea-Nune ndërsa gjatë rrjedhës së tij, janë lexuar poezi nga shtatë autorët e prezantuar në panoramë.