Lajme

Shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë, krerët e shtetit askund

Është zbuluar sot ë Prishtinë shtatorja e Ismail Qemalit. Zbulimin e shtatores para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës (ish Pallati i Shtypit)  bënë bashkërisht kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.

Zbulimi i këtij monumenti është përcjellë me ekzekutimin e Himnit Kombëtar ndërsa më pas grupi i këngëve nga Vlora këndoi këngë kushtuar Ismail Qemalit.

Të pranishmëve në këtë solemnitet u është drejtuar kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti i cili falënderoi të gjithë ata që ndihmuan realizimin e këtij projekti të përbashkët ndërmjet Prishtinës dhe Vlorës, shkruan koha.net.

“Vendosja e shtatores së Isa Boletinit në Prishtinë është hap i parë i zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Prishtinës e Vlorës. Hapi i dytë është vendosja e shtatores së Hasan Prishtinës në Vlorë”, tha Ahmeti duke përkujtuar se shtatoren e Ismail Qemalit e ka bërë skulptori Luan Mulliqi.

Ahmeti në vazhdim foli edhe për jetën e veprën Ismail Qemalit.

Ndërsa duke e marrë fjalën kryeministri i Shqipërisë Edi Rama veç tjerash ka thënë: ”Sa herë që i ngrihet përmendore Ismail Qemalit, është shpallje dhe rishpallje e pavarësisë së Shqipërisë”. Po ashtu ai ka falënderuar prindërit kosovarë që në nderim të Ismail Qemalit, vajzave të tyre ua vunë emrin Vlorë.

Raa në vazhdim foli për figurën e Plakut të Pavarësisë dhe për historinë e flamurit që u shpalos në Vlorë në vitin 1912 duke përkujtuar me këtë rast edhe kontributin e Isa Boletinit.

Në solemnitetin e zbulimit të shtatores së Ismail Qemalit kanë munguar të gjithë krerët e institucioneve të Kosovës, si presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa ashtu dhe kryetari i Kuvedit, Kadri Veseli dhe zëvendkryeministri Hashim Thaçi.