Bota

Shtëpi për refugjatët, në oborret e francezëve

Refugjati afgan Sadik e ka një shtëpi si askush tjetër në Paris. Është e bërë nga druri, me një kuzhinë të vogël dhe hapësirë të vogël në përgjithësi, dhe më e habitshmja është se ndodhet në oborrin e dikujt tjetër.

Shtëpia miniaturë është në oborrin e Charlot Bulanzhe dhe parterit të saj, Dominik, e që është familja e parë e cila mori pjesë në projektin që kishte për qëllim t’u ofronte kulm mbi kokë refugjatëve që jetojnë në Francë, përcjell albinfo.ch.

“Kur erdha për herë të parë në Francë, jetova në rrugë”, tha Sadik, 29-vjeçar nga provinca Herat. “Tani jam mirë. Është shtëpi e vogël, por e qetë dhe e rehatshme”, shtoi ai. Dhe, jo të gjithë që duan të ndihmojnë ndjehen rehat me dikë të huaj në oborrin e tyre, tha Romain Minod, 33-vjeçar, i cili krijoi shtëpinë e Sadikut.

“Vendosëm ta krijojmë këtë shtëpi të vogël në oborr që të mos u pengojë nikoqirëve”, tha Minod. Shtëpia e Sadikut është e para e instaluar si pjesë e projektit të titulluar “Në oborrin tim”, e qëllimi është që të ndërtohen 50 shtëpi të këtilla brenda 3 vjetëve për të rehatuar më shumë se 100 refugjatë në Paris.