CH-Ballkani

Shtëpitë e pabanuara të mërgimtarëve, nuk preken më shumë se të tjerat!

Komandanti i Policisë së rajonit të Gjilanit, Remzi Azemi, flet për albinfo.ch lidhur me sigurinë e shtëpive të bashkatdhetarëve në Gjilan me rrethinë, të cilat pothuaj gjatë gjithë vitit janë të pabanuara

Gjilani njihet si njëri ndër rajonet më të sigurta të Kosovës: në tri vitet e fundit nuk ka ndodhur asnjë vrasje. Tani që jemi në prag të fundvitit, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me komandantin e Policisë së Rajonit të Gjilanit, major Remzi Azemin, me temë sigurinë e shtëpive të pabanuara të një numri të madh të qytetarëve të kësaj ane që jetojnë jashtë vendit. Ata i lënë shtëpitë e tyre në pjesën më të madhe të kohës të pabanuara.

Albinfo.ch: Tani që jemi në prag të fundvitit dhe kemi një fluks të madh mërgimtarësh në Kosovë, si është gjendja e sigurisë në rajon?

Remzi Azemi: Gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit që e mbulojmë ne, stacioni policor në Gjilan, është jashtëzakonisht e mirë dhe vazhdojmë të jemi ndër rajonet më të qeta në Kosovë. Kështu, tani më po përfundojmë vitin e tretë që nuk kemi pasur asnjë vrasje.

Rajoni i Gjilanit njihet për atë se ka një numër të madh qytetarësh që jetojnë jashtë vendit. Prandaj, për çdo vit gjatë pushimeve dimërore dhe verore, fluksi i mërgimtarëve është madh dhe njëkohësisht edhe shtëpitë që ata i kanë ndërtuar, në pjesën më të madhe të vitit janë të pabanuara. Si është gjendja e sigurisë kur kemi të bëjmë me vjedhjen e gjësendeve nëpër shtëpitë e pabanuara të mërgimtarëve?

Vjedhja e pasurisë konsiderohet po ashtu vepër e rëndë penale dhe ne fatmirësisht nuk kemi pasur sivjet asnjë vepër të rëndë. Megjithatë kanë ndodhur disa raste në qytetin e Gjilanit dhe në rrethinë. Mirëpo sa u përket konkretisht shtëpive të bashkatdhetarëve tanë që punojnë jashtë vendit, nuk mund të thuhet se ka ndonjë tendencë që cak i këtyre vjedhjeve të kenë qenë pikërisht këto shtëpi. Një statistikë që kemi nxjerrë ne nga numri i përgjithshëm i vjedhjeve të rënda që kanë ndodhur nëpër shtëpi në qytetin e Gjilanit dhe në fshatrat përreth nuk del ndonjë shifër e madhe që tregon se kanë qenë cak i sulmeve apo vjedhjeve të shtëpive të pabanuara të bashkatdhetarëve tanë.

Si duken statistikat për vitin 2016, sa shtëpi të vjedhura janë paraqitur në polici?

Deri më tani kanë qenë 296 raste te raportuara gjatë tërë vitit. Domethënë këtu hynë vjedhjet e rënda dhe vjedhjet, pra nuk mund të themi se të gjitha kanë qenë vjedhje në shtëpi. Mirëpo ne për çdo periudhë kohore e bëjmë analizën e trendit kriminal dhe aty ku vërejmë se ka ngritje apo tendencë të ngritjes së ndonjë vepre të caktuar kriminale. Ne kemi filluar me një plan operativ dhe ky plan ka dhënë rezultate siç janë javët e fundit dy operacionet e ndara kemi pasur 7 persona të arrestuar që kanë qenë të dyshuar për një numër të rasteve të vjedhjeve të rënda nëpër shtëpi ose vjedhjeve të rënda nëpër lokacione tjera.

A janë shtëpitë bosh pre më e lehtë për t’u plaçkitur?

Nëse flasim nga përvoja dhe logjika e shëndoshë, kuptohet se shtëpitë e boshatisura janë më të lehta si pre për kryesit e këtyre veprave penale. Mirëpo nuk ka ndonjë tendencë që nënkupton se pikërisht këto shtëpi që janë të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në boten e jashtme, kanë qenë cak i këtyre veprave penale.

Kur jemi të vjedhjet e shtëpive, cilat vende janë më të prekura?

Në të gjitha veprat penale prin pjesa urbane, pra qyteti. Mirëpo kjo nuk do të thotë se fshatrat janë të paprekshme, por për të gjitha llojet e veprave penale, kryesisht prijnë  pjesët urbane të qytetit.

Si është angazhuar policia, a bën patrullime gjatë natës edhe nëpër fshatra?

Ne, përveç patrullimeve të rregullta që i kemi, kur ti bëjmë analizat mujore të trendit kriminal aty ku vërejmë se ndonjë vepër e caktuar penale ka shënuar ngritje, bëjmë edhe plane operative konkrete, ku shtohet personeli dhe ndryshohet metoda e punës, intensifikohen kontaktet me qytetarë. Tani që jemi në prag të vitit të ri, vitit 2017 dhe puna e parë që ne kemi përcaktua është, intensifikimi i kontakteve, së paku me përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve. Kjo është edhe si strategji e policisë së Kosovës që po implementohet që prej katër vitesh, pra intensifikimi i kontakteve me qytetarin duke identifikuar problemet ku pastaj bashkërisht të gjejmë metodën më të mirë për të ngritur sigurinë e jetës.

Me ardhjen e mërgimtarëve për pushime në vendlindje, ju keni edhe një angazhim shtesë me numrin e madh të makina që sjellin mërgimtarët, të cilët shpesh nuk u përmbahen rregullave të komunikacionit, pastaj dasmat e zhurmshme dhe ju  i toleroni.

Objektivi ynë kryesor nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por parandalimi i veprave penale dhe vetëdijesimi i qytetarëve. Kjo  nuk do të thotë se ne i mbyllim sytë para këtyre veprimeve kundërvajtëse, se kur kemi të bëjmë me vepra penale, deshëm apo jo ne duhet të reagojmë.

Dihet që Gjilani ka një numër jashtëzakonisht të madh të qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në botën e jashtme, përgjithësisht nëpër vendet evropiane. Ne si polici bëjmë plane konkrete operative duke shtuar praninë policore, sidomos në orët e vona kur frekuentimi i të rinjve është më i madh nëpër kafiteri, pastaj pjesëmarrja në komunikacion është më e madhe sidomos tani kemi prapë  një rritje të numrit i bashkatdhetarëve tanë që kanë ardhur për festat e fundvitit.

A ju frikësojnë juve policëve të Kosovës mjetet piroteknike që pëlcasin kudo rrugëve të qytetit?

Policinë e Kosovës nuk e frikëson asgjë e lëre me mjetet piroteknike. Por jo, fatmirësisht kohëve të fundit kemi një vetëdijesim të qytetarëve dhe një përdorim shumë më të vogël e më të kontrolluar të mjeteve piroteknike.

Për fund, cili do të ishte mesazhi i komandantit të policisë së rajonit të Gjilanit?

Fillimisht dua t`i falënderoj qytetarët e komunës së Gjilanit për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë vitit 2016, për kulturën, për tolerancën dhe për besimin që kanë në institucionet e Republikës së Kosovës. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, është kënaqësi kur dikujt i prezanton se tre vite e fundit në një qytet me rreth 90 mijë banorë nuk ka pasur asnjë vrasje. Mesazhi im për festën e vitit të ri, është që të kenë kujdes gjatë vozitjes së makinave sepse koha është e ftohët dhe rrugët janë me ngrica. Ndërsa për të gjithë mërgimtarët dhe lexuesit albinfo.ch, ju lutem na kontaktoni për çfarëdo ankese që keni.